Të luftosh sëmundjen me probiotikë

Të luftosh sëmundjen me probiotikë
TIRANE -  Kur vjen momenti për të trajtuar një infeksion mykotik intestinal shumë shpesh terapia antifungale është e vetmja. Në fakt këta pacientë kanë nevojë për një plan të plotë terapeutik me tre elemente: medikamente antifungale; dietë antifungale; suplemente probiotike. Duket se shumica e pacientëve kanë rezultat më të mirë nga ky plan terapeutik me tre elementë sesa vetëm nga terapia me medikamente antifungale. Të tre këto masa të zbatuara në të njëjtën kohë rivendosin florën normale në intestin.

Çfarë është dieta antimykotike?
Dieta antimykotike konsiston në marrjen e lëndëve ushqimore në përqindje të tillë që të mos favorizojë shumimin e mykeve. Praktikisht kjo dietë redukton marrjen e sheqerit natyral dhe produkteve të sheqerosura, ushqimet e mykura dhe produktet me maja. Pse duhet reduktuar marrja e karbohidrateve? Sepse myku në zorrë ushqehet duke fermentuar sheqerin e ushqimeve në etanol (alkooli që përmbajnë dhe pijet alkoolike që ne pijmë) dhe një produkt më toksik që është acetaldehida. Duke reduktuar sasinë e sheqerit në dietë njëkohësisht reduktojmë ushqimin për mykun në zorrët tona. Kjo e mban në kontroll rritjen e tyre. Nga mbërritja myket zhvendosen nga mukoza e intestinit në gjak ose inde të tjera të trupit ku mund të shkaktojnë reaksione imune të vonuara të ndërmjetësuara nga IgG. Për pasojë sistemi imun bën reaksione të kryqëzuara dhe me këto substanca në dietën tonë, duke shkaktuar kështu alergjitë ushqimore.

Cilat ushqime duhen shmangur?
Sheqeri dhe ushqimet e sheqerosura: sheqeri i tavolinës (sukroza), fruktoza, laktoza, maltoza, glukoza, manitoli dhe sorbitoli. Gjithashtu dhe mjalti.
Ushqimet e paketuara dhe të përpunuara si: konservat, ushqimet në shishe apo kuti kartoni si dhe ushqimet gjysmë të gatshme.
Psh: salcat e gatshme, supa të gatshme, bishtajore të konservuara, pije të ëmbëlsuara, lëngje frutash të paketuara, ushqime të gatshme të paketuara, cornflakes-at, çokollata/karamele, akullore, ushqime të ngrira, djathrat sidomos djathrat e mykura, pana e produktet e qumështit, pije me përbërje qumështi, birra, vera, uthulla, uiski e pijet e tjera alkoolike, majoneza, salca e sojës, mustarda, kërpudhat, salçiçet, pastermatë, proshutat, bejkoni, peshku i tymosur, stafidhet (stafidhe rrushi, kajsie, fiku, kumbulle) etj.

Cilat janë ushqimet që mund të përdoren në sasi të moderuar?
Mund të përdoren në sasi të moderuar drithërat si gruri, orizi, misri, elbi, meli. Gjithashtu dhe zarzavatet me përmbajtje të lartë karbohidratesh si misri i ëmbël, patatet, bathët, bizelet, kungulli, rrepat.

Çfarë janë suplementet probiotike?
Gjatë terapisë me antifungale, ndërkohe që pakësohen myket pakësohen dhe mikroorganizmat "e mirë" dhe në murin e intestinit mbeten sipërfaqe të pakolonizuara të cilat nëse nuk përdoren suplemente me probiotikë do të kolonizohen nga mikroorganizma patogene. Përfitimi nga probiotikët nuk është vetëm kaq. Nga studimet e kohëve të fundit është parë që flora mikrobike e intestinit është e lidhur drejtpërdrejt me zhvillimin e alergjive ushqimore dhe ambientale. Prandaj përmirësimi i florës intestinale redukton rastet me alergji gjithashtu dhe gravitetin e simptomave të alergjive.

Po cilat janë llojet e baktereve probiotike?
Bakteret probiotike, të quajtura ndryshe "miqësore" ose "të mira", gjenden në florën normale intestinale. Ndër to, në zorrët e holla më të shumtë në numër janë specie të Lactobacilleve kurse në zorrën e trashë jane Bifidobacteria. Prandaj shumica e produkteve probiotike përmbajnë koloni të një ose të dy këtyre lloj baktereve.
Nga lactobacilet më i njohur është lactobacillus acidofilus sepse është më i pranishëm nga të tjerët në intestin dhe ka qënë objekt studimesh që në vitin 1925. Ky lloj lactobacilli është parë se stimulon sistemin imunitar duke rritur nivelet e interleukin-1 alpha (IL-1 alpha) dhe tumor necrosis factor-alpha (TNF-alpha) të cilat frenojnë rritjen e qelizave kanceroze. Jo vetëm kaq por L.acidophilus prodhon enzimën laktazë gjë që lehtëson simptomat e intolerancës ndaj laktozës, prodhon acidophilin, substancë me efekt antimikrobial gjë që frenon shumimin e mikroorganizmave patogene në intestine, gjithashtu lehtëson simptomat e dermatiteve dhe sëmundjeve të tjera të lëkurës.
Një lloj tjetër lactobacilli është Lactobacillus rhamnosus. Vitet e fundit është rritur shumë vëmendja ndaj këtij bakteri probiotik pasi është parë që ky bakter luan rol me rëndësi në luftimin e infeksioneve gastrointestinale dhe alergjive.

Një lloj tjetër lactobacilli është Lactobacillus bulgaricus. Ndryshe nga gjithë të tjerët ky është një bakter "tranzit" në intestine, dmth ai nuk fiksohet në mukozën intestinale e të formojë aty koloni por thjesht kalon në lumenin intestinal. Gjithsesi,edhe pse tranzit, ai lehtëson shumë tretjen e produkteve të qumështit, prodhon substanca natyrale me efekt antimikrobike ndaj baktereve patogene ndërkohe që nuk dëmton bakteret "e mira".
Një lloj tjetër lactobacilli është Lactobacillus salivarius. Ky bakter është parë që lufton Helicobacter pylori (H.pylori),ky i fundit është shkaktari i ulcers peptike. Skema e trajtimit të ulçerës përfshin përdorimin për kohë të gjatë të antibiotikëve. Por ndonjëherë H.pylori bëhet rezistent ndaj tyre madje përdorimi afatgjatë i antibiotikëve jep efekte anësore si mykozë intestinale e diarre. është parë që L. salivarius prodhon shumë acid laktik duke frenuar kështu shumimin e H.pylori. Gjithashtu ai prodhon një substance natyrale me efekt antibiotik që është quajtur bakteriocin.
Duke marrë parasysh gjithë këto përfitime që mund të kemi nga bakteret probiotike duhet të reflektojmë mbi trajtimin që iu bëjmë infeksioneve mykotike, mbi ushqimet që përdorim rëndom në jetën e përditshme dhe ti kushtojmë më shumë rëndësi ruajtjes së florës normale bakteriale të intestinit pasi janë një armë e fortë natyrale kundër shumë patologjive që mund të hasim gjatë jetës.


*ZHENISA GRACI, Pedagoge e Infermierisë në universitetin "Eqerem Çabej", Gjirokastër.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), suplementi Shëndeti, 6 dhjetor 2012
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga