TIRANE – Grupi i punës i Partisë Socialiste për çështjen e ish-të përndjekurve kundërshton me forcë “projekt-mashtrimin e radhës në dëm të kësaj shtrese dhe krejt popullit”, tha në një deklaratë për shtyp Keti Bazhdari, kryetare e këtij grupi.

Bazhdari ka hedhur poshtë deklaratat e Qeverisë shqiptare sipas të cilës janë rreth 400 personat mbi 85-vjeç që do të përfitojnë një dëmshpërblim të ndarë në dy këste. “Ky pretendim është absolutisht fiktiv dhe me efekte kryekëput propagandistike dhe korruptive. Sipas informacionit të marrë nga shoqatat e ish të përndjekurve, ky numër nuk i kalon 50 veta në të gjithë Shqipërinë, certifikuar kjo dhe me informacione të marra nga arkiva e MB (Ministrisë së Brendshme, red) ndër vite”, tha Bazhdari.

“Këta gjoja qeveritar, që në vitin 2007 u kanë premtuar ish të përndjekurve, me gojën dhe dorën e vet, se do u japin për 8 vjet të gjithë dëmshpërblimin, por sot ndodhen me të dyja këmbët mbi këtë premtim – deklaroi Bazhdari, sipas së cilës - Megjithëse kanë kaluar 4 vjet dhe ish të përndjekurit duhet të kishin përfituar tashmë këstin e katërt, janë mëse gjysma e tyre që nuk kanë marrë ende të parin”.

Në emër të Partisë Socialiste, ajo kërkoi uljen e moshës së përfituesve në 75 vjeç, të cilëve t’u jepet i gjithë dëmshpërblimi brenda këtij viti kalendarik, si dhe “zgjerimin e grupit të përfituesve dhe zbatimin e një shpërblimi progresiv, në varësi të viteve të dëmit”.

(im/shqiptarja.com)