Kjo është tema më e diskutuar sot nëpër kafenet e Tiranës; të rinjtë sot si asnjëherë tjetër po bëhen pjesë e vendimmarrjes në administratën publike: Po kush janë këta të rinj? Cili është background-i i tyre? A janë të rinjtë të gatshëm për sfida të mëdha që t’i rezistojnë kohës? Sfida që t’i bëjnë ata të ndihen krenarë për veten e tyre pas disa vitesh? Apo janë të rinj militantë partie?...

Ky është një debat që kërkon kohë. Kjo, për të parë ecurinë e këtyre të rinjve. Kërkon një analizë apolitike me të gjithë komponentët e vet që duhen për të tilla analiza, por një gjë pozitive bie në sy: dëshira dhe pasioni i tyre duhet përgëzuar, janë të rinj të pakonsumuar, të rinj të edukuar në Perëndim, të rinj që të japin përshtypjen se kërkojnë një perspektivë të largët, për një Shqipëri evropiane, për Shqipërinë e shtetit të së drejtës, për atë Shqipërinë e munguar.

Por, që këta të rinj të kenë sukses në pozicionet e tyre drejtuese, kanë nevojë për mbështetjen e dy kryetarëve të partive drejtuese, të Kryetarit të Partisë Socialiste dhe njëkohësisht kryeministër z. Rama dhe të Kryetarit të LSI njëkohësisht Kreu i Parlamentit, z. Meta. Ky i fundit ka treguar me fakte dhe raste, që është pro promovimit të të rinjve në pozicione drejtuese, në rastin më të fundit, me deputeten më të re të parlamentit shqiptar, Kejdi Mehmetaj.

Madje z. Meta historinë me të rinjtë në LSI, e ka që në krijimin e LSI-së, pasi LRI është themeluar më herët se LSI. LSI sot mbetet forca me mbështetjen më të madhe nga të rinjtë dhe një pjesë e konsiderushme të votave në zgjedhjet e fundit, i ka marrë nga ata që votonin për herë  të parë.  Kjo forcë politike vazhdon të mendojë për të rinjtë, organizon takime për politikat rinore, ku dhe takimin më të fundit e kishte për maturën shtetërore, e cila është kthyer në një makth të madh për maturantët e sotëm. Faktet flasin më së miri për atë që z. Meta kontratën e tij në politikë e ka me një afat të pacaktuar, ku, si palë kontraktuese ka të rinjtë, ata të rinj që duan ndryshim dhe që janë të gatshëm për sfida të mëdha.
Ajo çka pritet është sjellja nga partia më e madhe në vend, Partia Socialiste.

Si do të jenë balancat midis të rinjve me vizion për një Shqipëri më të mirë dhe atyre që politikën e quajnë pronën e tyre? Unë personalisht besoj që PS tashmë është në rrugë të mbarë, sepse dhe kreu i saj, Rama, pozicionet kyçe ja ka besuar rinisë, forcës më vitale. Pritshmëria është shumë e madhe te kjo dyshe historike, që mendoj se do të bëjë histori në politikën shqiptare, që do të dijë t’i lexojë mirë, saktë dhe me përgjegjshmëri maksimale ato vota plebishitare që mori nga populli në 23 Qershor. Të gjithë, pa dallim bindjeje politike, duhet të presim dhe besojmë për një qeverisje më të mirë, më të përgjegjshme, për një Shqipëri më pranë Evropës. Unë  shpresoj...
  
Shkrimi u publikua sot (25.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)