Të sëmurët kronikë/ Medikamentet
me rimbursim, LISTA gati në mars

Të sëmurët kronikë/ Medikamentet<br />me rimbursim, LISTA gati në mars
TIRANË - Muaji mars do të jetë afati i fundit për publikimin e listës së ilaçeve me rimbursim për këtë vit. Sipas të dhënave zyrtare nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore vetëm një ditë më parë ka përfunduar afati për dorëzimin e dosjeve mbi barnat dhe ofertat e ilaçeve të cilat janë parashikuar të hyjnë në këtë listë.

Lista
Lista e re e barnave të rimbursueshme do të bazohet tek propozimet e bëra nga mjekët por edhe nevojat që ka popullata sot, sa i përket sëmundjeve më të përhapura. Burime nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore bëjnë me dije se puna për hartimin e kësaj liste ka nisur që në muajin dhjetor. Pasi propozimet mbërrijnë në grupin e punës të ngritur për këtë qëllim, përllogariten në bazë të çmimeve që kanë ofruar kompanitë farmaceutike barnat, për të cilat më pas vendoset se cili bar do të rimbursohet 100%, apo në një përqindje më të vogël. “Po punohet me informacionin e sjellë nga Ministria e Shëndetësisë në lidhje me çmimet e barnave 2016. Njëkohësisht po analizohen të gjitha propozimet për futje të barnave të reja në Lista e Barnave të Rimbursueshme 2016", shprehen burime të FSDKSH. Sipas këtyre të fundit, lista e barnave do të hartohet në bazë të të gjitha kritereve të miratuara.

Prioritetet
Nga ana tjetër, burime zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë theksojnë se edhe këtë vit ashtu sikurse edhe gjatë vitit të kaluar, prioritet do të kenë sëmundjet tumorale si dhe ato të hipertensionit dhe zemrës. ‘Në plan të parë do të kemi sëmundjet tumorale. Ashtu sikurse edhe gjatë vitit të kaluar kur ne përfshimë barna citostatike në listë, edhe këtë vit do të kemi risi të tilla. Kjo në mënyrë që pacientët të mos shkojnë çdo muaj në spital për të marrë medikamentet por ato të mund ti marrin në farmaci me rimbursim” pohojnë burime zyrtare nga MSH. Sipas këtyre të fundit, po kështu edhe sëmundjet e zemrës dhe hipertensionit pritet të kenë një zgjerim të gamës së ilaçeve për vetë faktin se janë nga sëmundjet më të përhapura. Sa i përket afatit të listës parashikohet që mesi i muajit mars të jetë edhe koha kur kjo listë të jetë gati dhe të shkojë për miratim në qeveri. Ndërsa në 1 prill ajo të hyjë në fuqi.

Recetat me rimbursim
Ndryshe nga vitet e kaluara këtë vit pritet të ketë një tjetër përmirësim që lidhet me recetat me rimbursim. Çdo recetë tashmë do të jetë e shoqëruar për të gjitha etapat, me dokumentacion të rregullt (fletë dalje) ku duhet të pasqyrohen në mënyrë rigoroze numrat serialë për çdo recetë. Gjithashtu janë përcaktuar qartë në kontrata të gjitha rregullat e plotësimit të recetës si dhe janë shtuar penalitetet në rast të korrigjimit të recetës së rimbursueshme. Këtë vit për herë të parë u diskutua që në fund të vitit kalendarik të mos bëhej inventari i barnave nëpër farmaci, por të bëhej në të njëjtën kohë kur hyn në fuqi lista e re e barnave të rimbursueshme.


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

SPAK e policia operacion në disa qytete, zbulohet arsenal armësh! 6 urdhër arreste

SPAK e policia operacion në disa qytete, zbulohet arsenal armësh! 6 urdhër arreste