TIRANE - Drejtorin e kësaj shkolle gjatë ditës së djeshme ishte e pamundur ta takoje. Ai ishte thirrur në Ministrinë e Arsimit për të dhënë llogari për akuzat e bëra nga nxënësit e shkollës që drejton. Ndërsa MASH ka deklaruar se para pak kohësh ka dërguar Inspektoriatin Kombëtar të Arsimit për të monitoruar situatën, ndaj janë në pritje edhe të raportit që ky inspektoriat do të paraqesë.

Emirson Gila, është njëri prej nxënësve të shkollës së të verbërve që ka denoncuar faktin se në këtë shkollë ushtrohet dhunë mbi ta. Ai është 16 vjeç, por ndjek klasën e shtatë. Nuk është krejtësisht i verbër dhe arrin të shikojë pak edhe pa syze. Ai na tregon se edhe vetë ka qenë disa herë pre e dorës së rëndë të zysh Nereidës, që u jep lëndën e matematikës. Emirsoni na thotë se shkak për këtë nuk është sjellja e keqe, por kjo mësuese, sipas tij, është vetë e dhunshme. "Unë e kam thënë dhe ia them edhe në sy. Nuk kam frikë nga përballja me të. Zysh Nereida e ka dorën e rëndë. Ajo nuk ta përton fare. Gjatë gjithë orës së mësimit, të godet, të bërtet, na shan, madje unë edhe dy ditë më parë kam pasur një konflikt me të, dhe kur është duke mbaruar ora e mësimit, në fund të 5-minutëshit vjen dhe të ledhaton te koka. Bën si e mirë. E ka zakon të vetin", - na thotë Emirsoni, apo Eri siç e thërrasin shokët në shkollë.

Ai ka gjashtë vjet që jeton në këtë institut dhe na tregon se mësuesja e Matematikës ka 12 vjet që jep mësim aty. "Ajo ka shumë vite që jep mësim këtu. Fillimisht kur kam ardhur unë, nuk ka qenë kështu, por ka nja tre vjet që e ka lëshuar dorën krejt. Pa le më për të sharat...", - na thotë më tej ai, ndërsa merr si shembull edhe një shokun e tij, që ishte i mirë në matematikë, por që nuk i ka shpëtuar goditjeve të mësueses së Matematikës. "Nuk e ka vetëm për ata që nuk mësojnë. Një shokun tim, para ca kohësh ia mori fytyrën në duar dhe filloi ta godiste në të dy faqet duke i thënë: hë se mëson më shumë se kaq, e di unë je nxënës i mirë ti". Dhe unë për këto gjëra jam ankuar te drejtori, por ai nuk ka bërë asgjë. Unë kërkoj që të ndryshojë sjellje stafi i mësuesve dhe kujdestarëve, pasi ne nuk jemi të burgosur", - na thotë ai, që për hir të së vërtetës e shikojmë që del nga oborri i shkollës sa herë do dhe futet në një qendër interneti që është ngjitur me shkollën.

Si për të vërtetuar se sjellja e mësueses së matematikës nuk është konfliktuese vetëm me të, Emirsoni na tregon se dje, me rastin e festës së 7 marsit, katër nxënësit e klasës së tetë që Nereida ka në kujdestari, i kanë bërë një dhuratë të veçantë. "I dhuruan një gazetë ku flitej për dhunën që ajo ushtron ndaj nesh", - na thotë ai. "Unë personalisht e vetmja ankesë që kam për drejtorin, është fakti se duke qenë shumë i mirë mësuesit e tjerë po abuzojnë me të. Ta zëmë ne ka kohë që nuk bëjmë orën e fundit muzikë. Kjo pasi mësuesja e muzikës, nuk vjen asnjëherë, edhe për këtë i kemi thënë drejtorit. E ai na ka thënë se do flas unë me të, por hiç...Po ashtu edhe kur i thashë që kujdestarja kishte godit shokun tonë nga Rubiku ai më tha "nuk ka mundësi, se bën Fatma këtë". Mirëpo këto ngjarje po përsëriten dhe dikush duhet të marrë masat, çfarëdo qofshin ata", - thotë Emirsoni. (shqiptarja.com)