Të dielën, në Parisin e dijës, kulturës dhe emancipimit, sipas meje, triumfoi mentaliteti i humanizmit dhe iu dha një goditje e rëndë forcave të errëta, që besojnë në dhunë e terror.
U quajt me të drejtë, “Marsh i Bardhë”, do të thosha, kundër marshit të errësirës, që sulmoi një gazetë satirike, duke sulmuar kështu lirinë e shprehjes, postulatin themelor të vlerave europiane.
Parisi madhështor dje fliste unanimisht dhe me një zë: Paqe, Paqe.
Franca, njëra nga fuqitë më të mëdha në botë, dje s’dukej ashtu.
Më shumë i ngjante një kopshti të butë, ku ftonte edhe të krisurit që ta gjenin rehatinë dhe rrugën e paqes në atë kopsht.
Për më tepër, ta gjenin vetveten në mesin e të barabartëve. Francezët shprehën fuqishëm dhimbje edhe për vrasësit e fjalës së lirë.
I ftonin pa nda që ata, pra ekstremistët, ta kuptonin më në fund se janë të vetmuar në rrugën e tyre të pashpresë të barbarisë dhe urrejtës.
Ky “Marsh i Bardhë” bashkoi kombe, shtete e popullsi nga gjithë bota.
Pra, edhe ne shqiptarët, s’munguam në marshin e paqes, fjalës së lirë dhe humanizmit, në Paris.
Ishim aty, për të treguar se mesazhin e paqes, e kanë kuptuar shumica absolute e shqiptarëve, pa dallim besimi ose mosbesimi në Zot e fe.
U munduam të dëshmojmë se si në të mirë, po ashtu edhe në të liga, ne jemi si popujt tjerë.
Pra, edhe te ne ka të pashpresë e syplasë, por ata janë pakicë, siç janë pakicë edhe në Francë.
Ekstremistët shqiptarë, kudo që janë, duhet ta kuptojnë se këtu i thonë Europë dhe këtu valëvit flamuri i vlerave humaniste, në epiqendër të së cilave është liria e shprehjes, e besimit, e kritikës, postulate pa të cilat s’kuptohet Europa e as Franca.
Ndaj, atë që ke ti të drejtë ta besosh, tjetri ka të drejtë mos ta besojë, ta kritikojë dhe të qesëndiset, me satira të gjithfarshme.
Ajo që për ty është e shenjtë, për tjetrin mund të mos jetë e tillë.
Atij që ti i lutesh, tjetri ka të drejtë ta ironizojë.
Ndërkaq, karikaturën që e bën i pafeu, ti mos e shih – injoroje.
Askujt mos u mundo t’ia imponosh dhunshëm mënyrën e besimit tënd.
Ti, ndërtoje besimin brenda vetës tënde, sepse ai vetëm për ty ka rëndësi dhe në këtë, askush s’të pengon.
Nëse Zoti dhe terrori janë në kundërshtim absolut, me kë je ti: ekstremist?!
Nga Franca kanë mësuar gjithë popujt, kulturat dhe shtet.
Ndaj, të mësojmë nga Franca edhe kësaj here.
Edhe pas një terrori kaq të egër ndaj njerëzve që përfaqësojnë fjalën e lirë, një pikëllimi të thellë, Franca gjeti forcë për paqe.
Me gjitha forcat, populli francez, elitat, politika, po përpiqen që terrorin ta mundë me të mirat demokratike e humane, që Franca i ka në themelet e veta.
Dhe ato i ka të shumta. Mu për këtë arsye, ata besojnë pafundësisht se me fuqinë e paqes dhe të humanizmit, do ta vetëdijesojnë mendësinë terroriste.
Kjo nuk është shenjë dobësie, por është shëmbëlltyrë e misionit të paqes mes njerëzve.
Një shëmbëlltyrë, të cilën shumë popuj kanë nevojë ta ndjekin. Sigurisht edhe ne shqiptarët.