Dihet fare qartë se stereotipet, si fillim, mund të shërbejnë për t’u vendosur përpara një realiteti të caktuar. Kështu, nëse e etiketojmë  një katalanas si “koprac” apo një andaluz si “njeri me humor”, na duket sikur tashmë e kemi të qartë realitetin, i cili gjithmonë është edhe më  i komplikuar dhe poliedrik.

Falë programit “Basileus” të Bashkimit Evropian, kam përftuar një qëndrim njëmujor në Universitetin e Tiranës. Për fat të keq,  në imagjinatën e spanjollëve, këtij vendi i vishen disa nga klishetë më negative si varfëria, korrupsioni dhe mafia. Ata që i kanë kaluar të dyzetat e lidhin atë me regjimin tiranik dhe despotik  të diktatorit stalinist Enver Hoxha.

Është mëse e vërtetë se stereotipet krijohen duke u nisur nga një copëz e vogël e realitetit. As më shumë e as më pak ky është thjesht një vizion i vogël dhe paragjykues i realitetit. Kështu, një spanjoll befasohet për mirë nga niveli i lartë i njohurive i studentëve shqiptarë, që në shumë raste e njohin më mirë historinë dhe letërsinë spanjolle se sa vetë nxënësit tanë spanjollë. Kështu duke patur parasysh të kaluarën traumatike shqiptare, të huajt befasohen akoma më shumë nga fryma e mirëkuptimit që ndjehet këtu. E pozicionuar në mes të Ballkanit, të një rajoni kaq shumë të ndëshkuar nga konfliktet politike, etnike dhe fetare,  Shqipëria është vendi ku bashkëjetojnë të gjitha  besimet fetare të mundshme. Këtij vendi i takon që të jetë  djepi e ekumenizmit.

Nuk ka asnjë dyshim se duhet të lihen mënjanë vizionet stereotipe dhe epidermike të realitetit. Europa gjithashtu (dhe mbi të gjitha) ndërtohet që nga periferitë e saj gjeografike dhe, në këtë kuptim, mikpritja dhe bujaria shqiptare janë një shembull i mirë për t’u ndjekur në një vend si Spanja, ku vëllai urren vëllanë.
 
*Profesor në Universitetin Ndërkombëtar të Katalunjës (Barcelonë); shkruar posaçërisht për Shqiptarja.com

xavier baro