Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar qeverinë se po bashkëpunon me oligopolet e karburanteve për të mbajtur artificialisht të larta çmimet e naftës në Shqipëri, duke rënduar drejtpërdrejt ekonominë e qytetarëve shqiptarë.

Gjatë fjalës së saj në seancën plenare të ditës së sotme, Tabaku deklaroi se propozimi i qeverisë për uljen e akcizës së karburanteve është një masë e vonuar dhe pa efekt real, ndërsa theksoi se problemi i vërtetë lidhet me modelin ekonomik të ngritur në vend. Deputetja e PD solli në vëmendje edhe barrën fiskale mbi karburantet, duke theksuar se mbi 60% e çmimit të naftës përbëhet nga taksat. Ajo u ndal veçanërisht tek taksa e qarkullimit, e cila sipas saj është rritur me 20 lekë krahasuar me vitin 2013 dhe u kushton shqiptarëve mbi 200 milionë euro në vit.

“Qeveria ka ardhur sot me një propozim për të ulur akcizën mbi karburantet si pasojë e krizës së krijuar nga lufta në Gjirin Persik dhe tensionet në ngushticën e Hormuzit. Por përtej kësaj krize globale, ajo që mësojmë sa herë shpërthen një konflikt ndërkombëtar është tragjedia shqiptare. Tragjedia e një vendi që jeton në një sistem ekonomik dhe politik që i ka lënë qytetarët peng të monopoleve nga njëra anë dhe të një pushteti fiskal të pandershëm nga ana tjetër. Një sistem që ledhaton të fortët dhe ndëshkon të dobëtit.

Çdo krizë ndërkombëtare ka nxjerrë zbuluar të njëjtën gjë: dështimin e modelit ekonomik që është ndërtuar në Shqipëri. Sepse në Shqipëri çmimi i naftës nuk përcaktohet vetëm nga tregu. Përcaktohet nga një kartel politiko-ekonomik që ka interes të mbajë çmimet lart. Nafta mund të bjerë në bursat ndërkombëtare. Mund të bjerë në Mesdhe. Mund të bjerë në rajon. Por në Shqipëri ajo mbetet ndër më të shtrenjtat në Europë. Dhe mbetet e tillë sepse sistemi e favorizon.

Mbi 60% e çmimit të karburantit janë taksa. Dhe një pjesë e madhe e tyre vijnë nga taksa e qarkullimit, e cila sot është 20 lekë më e lartë se në vitin 2013. Një taksë që mblidhet çdo ditë në pompë dhe që i kushton shqiptarëve mbi 200 milionë euro në vit.

Realiteti është ky: shqiptarët paguajnë çmime europiane me paga ballkanike. Madje shpesh edhe më keq se Ballkani. Sa herë ka krizë, qeveria del me të njëjtën propagandë për rezervat e naftës. Por nuk ka asnjë strategji ekonomike. Nuk ka asnjë politikë reale për qytetarët. Nuk ka asnjë vizion për të ulur barrën fiskale.Sepse ky sistem nuk është ndërtuar për qytetarët. Është ndërtuar për të mbajtur në këmbë një aleancë mes pushtetit dhe oligarkisë”, tha ndër të tjera Tabaku.


Lajmi kryesor:

LIVE TV- Akti normativ për uljen e akcizës/ Malaj: Synon të mbrojë konsumatorin! PD: Politikë shpopullimi, alibi për të mos ulur taksat