‘Ligji aktual i pronave do të anulohet dhe brenda dy vitesh do të finalizojmë legalizimet’ kështu ka deklaruar kandidatja për deputete e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.

‘Në programin e PD, e thënë prerë dhe qartë nga kryetari i Partisë Demokratike dhe nga të gjithë ekspertët, thuhet që “Ligji i Pronave aktual do të anulohet”. ‘Jo vetëm me një ligj, por edhe një korpus ligjor prej 10 ligjesh që cenojnë të drejtën e pronës, si Ligji i Investimeve Strategjike, një prej tyre,  i cili është duke zaptuar pronat e pronarëve pa të drejtë dhe është duke i konsideruar ato prona publike, do të anulohet bashkë me ligjet e tjerë.’- tha Tabaku.

Nga selia blu, Tabaku iu përgjigj edhe kreut të Kadastrës Artan Lame, ku tha se në 8 vite qeveria ka pasur shumë mashtrime, shumë gënjeshtra, shumë premtime të pambajtura, por pronat dhe legalizimet janë thjesht vetëm dy prej tyre.

‘Sot qeveria foli për ligjin e pronave i cili mund të njihet si  ligji më famëkeq në këto 30 vite dhe i ka kthyer pronarët në të njëjtat nivele dhe i ka bërë një dëm pronarëve të njëjtë me atë që i bëri regjimi komunist.’- tha Tabaku.

Po ashtu kandidatja për deputete e PD-së shtoi se kur PD të vijë në qeveri do të rikthejnë në ligj më në fund konceptin e pronës, konceptin e pronarit dhe do të rikthejmë në ligj konceptin e njohjes së pronës.  Përsa i përket çështjes së legalizimeve, Tabaku tha se PD do të angazhohen që të përfundojë brenda dy vitesh.

'Këto zgjedhje të dashur qytetarë, nuk janë zgjedhje as për Bashën, as për Ramën, këto zgjedhje janë për familjen dhe për qytetarët. Janë zgjedhje për prcesin e integrimit europian, janë zgjedhje për t’i dhënë përfundimisht një zgjidhje korrekte procesit të kthimit të pronës, por edhe njëkohësisht të legalizimeve. Këto janë zgjedhje për të gjithë shqiptarët. Ne angazhohemi për të gjitha proceset për përfundimin e vënies së të drejtës së të zotit për procesin e pronës dhe nga ana tjetër edhe për procesin e legalizimit. Do t’i shohim me prioritet. Do të jenë pjesë e planit të punës për 100 ditët e para dhe do të fillojëm menjëherë angazhimin dhe të zbatohet që nga janari i vitit së 2022. Ky është një proces që për ne është prioritet, ky është një proces për integrimin europian dhe ne do të bëjmë çdo gjë të mundur për ta realizuar dhe përfunduar atë.'- përmbylli Tabaku.