Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka renditur disa problematika që sipas saj vijnë me paqen fiskale. Ajo ngre pyetjen nëse qeveria do të publikojë listën me emrat e përfituesve nga kjo amnisti, ndërsa shton se një gjë e tillë do të shtonte paligjshmërinë dhe informalitetin. Deputetja argumenton se tatimpaguesit nuk do të paguajnë taksat edhe më tutje, duke besuar se edhe në të ardhmen do të përfitojnë nga falje të tilla.

“Amnistia fiskale, që fshihet pas fjalës së madhe paqja fiskale është e dëmshme për ekonominë, buxhetin, për qytetarin por edhe për zbatimin e ligjit. Në thuajse 15 vitet e shkuara është akumuluar një borxh shumë i madh prej thuajse 1.7 miliardë eurosh, 200 mijë debitorë ndaj Tatimeve. Por a janë këto në të vërtetë përfituesit e kësaj paqeje fiskale apo ka edhe të tjerë? A do të bëjë qeveria transparencë për listën me emrat e tyre? Problemi i dytë që unë shoh me këtë lidhet me paligjshmërinë, me legalizimin e cvdo gjëje informale që ka ndodhur në të shkuarën, edhe  me legalizimin e pastrimit të parave sepse nëse me të vërtetë ka pikëpyetje për përfituesit, atëherë cilët janë përfituesit e vërtetë. Do të dekurajojë pagimin e taksave edhe në të ardhmen, sepse bizneset, tatimpaguesit do të besojnë se edhe në të ardhmen mund të ketë falje të tilla."

Si problem tjetër ajo thotë se biznesi do të detyrohet që të trokasë në derën e shtetit për të taksën që do të paguajë.

“E treta, problem kryesor që shoh lidhet me të ardhmen. Qeveria thotë se çdo biznes kontakton drejtorinë e Tatimeve do të lidhë një marrëveshje për taksën në të ardhmen? Kjo do të thotë se biznesi do të negociojë taksat për vitet në vijim, që nuk do të ketë normë të qartë dhe një taksë që duhet paguar, që nuk do të ketë qartësi ligjore dhe shteti do të jetë atje për t’i dhënë se mund të lidhësh marrëveshje me mua dhe çdo gjë ta negociojë. Ky është rreziku më i madh, fakti që biznesi do të detyrohet të shkojë te dera e shtetit edhe për taksën që do të paguajë nesër.”, shton Tabaku.