Pas një faze qesharake, në kufijtë e farsës politike, Partia Demokratike duket se ka arritur më në fund të dalë me një emër të vetëm për Avokatin e Popullit. Pas javësh ku njëherë firmoste mbështetjen për disa kandidatë e më pas kërkonte tërheqjen e firmave, sot PD duket se është “unifikuar”. Burime nga selia blu konfirmojnë se emri i propozuar për Avokat të Popullit do të jetë Jola Hysaj.

Por pas kësaj lëvizjeje, fshihet një panoramë e zymtë tradhtish, paaftësish dhe manipulimesh të brendshme.

Së pari, Sali Berisha po tradhton Adriana Kalanën, njeriun që PD e ka shitur prej kohësh si zërin e kauzave, si fytyrën e denoncimeve në SPAK, një prej figurave që, sipas vetë opozitës, mishëronte luftën kundër korrupsionit. Sot, pasi e përdori politikisht, e lë mënjanë pa asnjë shenjë vlerësimi.

Së dyti, PD po tradhton edhe Besim Ndregjonin, ish të përndjekurin që u përdor si “gogoli politik” i radhës. Ai shërbeu si instrument për të bllokuar procesin sa herë që opozitës i leverdiste, si kartë morale dhe si mjet presioni. Sot, me po të njëjtën lehtësi me të cilën u përdor, ai është anashkaluar. Dhe kjo tregon më shumë për PD-në sesa për kandidaturat.

Edhe vetë kandidatja që PD po promovon si “zgjidhje”, Jola Hysaj, është larg standardeve të ligjit për Avokatin e Popullit. Ajo është një figurë haptazi politike, pasi aktualisht mban postin e Sekretares për Marrëdhëniet me Publikun në PD. Deri tani nuk ka asnjë dëshmi, asnjë komunikim, asnjë dokument që të tregojë se Hysaj është dorëhequr nga funksionet politike. Një kusht i qartë ligjor për kandidimin në këtë pozicion kushtetues që kërkon pavarësi të plotë politike. Ky është një detaj që PD përpiqet ta anashkalojë, por që ligji nuk e fal.

Por ajo që e tejkalon çdo imagjinatë është një gafë teknike, aq elementare dhe njëkohësisht aq skandaloze, sa e poshtëron të gjithë “unitetin”. Edhe pse PD përpiqet të duket e bashkuar rreth Jola Hysajt, në realitet selia blu e ka skualifikuar vetë kandidaturën e saj. Ligji kërkon 28 firma deputetësh për të depozituar zyrtarisht një kandidaturë. PD, në mënyrë të pashpjegueshme, ka siguruar vetëm 27 firma.

Gafa shihet qartë në dokumentin zyrtar ku, në numërimin e firmave, pas nr. 18 kalojnë direkt tek nr. 20. Firma e deputetit nr. 19 thjesht… mungon. Asnjë korrigjim. Asnjë përgjegjësi.

Ky është profesionalizëm zero. Seriozitet zero. Dhe mbi të gjitha, turp politik që jemi mësuar ta shohim nga opozita sa herë që hapet gara për Avokatin e Popullit./Java News