Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka ngritur si shqetësim rritjen e çmimeve të paralajmëruar nga kompanitë e karburanteve si pasojë e konfliktit të fundit mes SHBA, Izraelit dhe Iranit.
Tabaku thotë se një rritje e çmimit të karburantit nuk është reflektuar ende në tregjet ndërkombëtare dhe se një ndryshim i menjëhershëm në Shqipëri është e pajustifikueshme. Kompanitë kanë paralajmëruar fillimisht një rritje me 20 lekë e më pas me 40 lekë për litër, ndërsa Tabaku thotë se është shqetësuese mosreagimi i institucioneve kompetente për të kontrolluar tregun.
Tabaku e mbyll reagimin e saj duke thënë se rritja e çmimeve është një abuzim i hapur në kurriz të qytetarëve dhe se tregu i karburanteve në Shqipëri nuk funksionon sipas parimeve të konkurrencës së lirë dhe ekonomisë së tregut.
“Pa u rritur çmimet në bursat ndërkombëtare, reflektohet menjëherë me rritje çmimesh këtu në Shqipëri. Gjiri i Arabisë ndodhet tani në një konflikt të hapur. Njoftimi i kompanive të karburit në Shqipëri që do të rriten çmimet, së pasi me 20 lekë dhe më pas 40 lekë për litër, habiti shumëkënd. së pari çmimi nuk është rritur akoma në bursa. E dyta sepse ky qenka një çmim i përcaktuar. Çfarë autoriteti i konkurrencës, çfarë bën qeveria për të kontrolluar këtë treg që sot i ka çmimet shumë më të larta se rajoni. Që i ka çmimet 30-40% më të larta se vendet fqinj duke nisur nga Maqedonia e Veriut e tek Mali i zi. Rritja e çmimeve në mënyrë abuzive në kurriz të qytetarëve e bizneseve është vjedhje, korrupsion i hapur. Nëse do kishim një shtet që do të funksiononte, kjo nuk do të ndodhte. Ky është rasti kur shteti ndihmon pakicën dhe jo shumicën”, tha Jorida Tabaku.
Komente










