Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur alarmin për pasojat e rënda ekonomike që po sjell zhvlerësimi i euros, duke e cilësuar situatën si një nga goditjet më serioze ndaj ekonomisë shqiptare dhe mirëqenies së qytetarëve.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku thekson se euro ka prekur minimumet historike të kursit të këmbimit, ndërsa në vitet e fundit vlera e saj ka rënë me rreth 40%. Sipas saj, ndonëse për shumë qytetarë kursi i këmbimit mund të duket si një koncept abstrakt, efektet e tij janë tashmë të prekshme në përditshmëri.

“Zhvlerësimi i euros po ndikon drejtpërdrejt në çmime, në eksporte, në punësim dhe në mbijetesën e bizneseve shqiptare. Çdo retorikë e qeverisë për nxitjen e eksporteve është e pavlefshme, për sa kohë ekonomia po goditet nga ky fenomen,” - shprehet Tabaku.

Sipas deputetes demokrate, dy sektorët kryesorë që po vuajnë më shumë janë prodhimi fason dhe bujqësia, sektorë që deri dje mbështeteshin te eksportet dhe sot po humbasin tregjet ndërkombëtare. Ajo paralajmëron se zhvlerësimi i euros po e bën të pamundur që produktet shqiptare të konkurrojnë jashtë vendit, duke reduktuar të ardhurat e fermerëve dhe duke rrezikuar vendet e punës në industrinë fason, ku punësohen rreth 175 mijë persona.

Tabaku e lidh drejtpërdrejt këtë situatë me kriminalizimin e ekonomisë dhe futjen e parave të pista, të cilat, sipas saj, po deformojnë tregun dhe po prodhojnë pasoja të pakthyeshme për ekonominë reale.

“Ky ndikim po shkon drejtpërdrejt në xhepin e qytetarëve dhe po sjell pasoja katastrofike. Nuk ka asnjë mekanizëm që ta rekuperojë dëmin që po i bëhet sot ekonomisë nga pastrimi i parave,” - thekson ajo.

Në përfundim, Tabaku nënvizon se rënia e euros nuk është thjesht një tregues financiar, por rreziku real që po thellon varfërimin e shqiptarëve, po shkatërron prodhimin vendas dhe po minon të ardhmen ekonomike të vendit, në mungesë të një reagimi serioz nga qeveria.