Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar në lidhje me rritjen e çmimeve të produkteve esenciale të shportës, duke e lidhur këtë situatë drejtpërdrejt me braktisjen e sektorit të bujqësisë dhe mungesën e politikave mbështetëse për fermerët shqiptarë.
Sipas Tabakut, frutat, perimet dhe produktet e fshatit janë kthyer në një luks për qytetarët, veçanërisht për pensionistët dhe shtresat në nevojë.
“Rritja e çmimeve në mënyrë të pakontrolluar i ka kthyer ato në produkte të ndaluara për shumë familje shqiptare,” theksoi ajo, duke ngritur alarmin për ndikimin e drejtpërdrejtë që kjo situatë ka në tryezat e qytetarëve.
Deputetja e PD-së argumentoi se shkaku kryesor i kësaj krize është lënia në harresë e bujqësisë, një sektor që sot përbën rreth 16% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por që sipas saj po përballet me taksa të larta, zhvlerësim të euros dhe mungesë të plotë mbështetjeje nga shteti.
“Produktet shqiptare nuk prodhohen më si më parë, ndërsa fermerët janë lënë të mbijetojnë pa asnjë ndihmë reale,” u shpreh ajo.
Tabaku solli edhe të dhëna konkrete për rritjen e importeve, duke theksuar se në vitin 2021 importoheshin 30 mijë ton zarzavate, ndërsa sot importet kanë arritur në 70 mijë ton. Po ashtu, importi i frutave ka kaluar nga 60 mijë ton në 100 mijë ton. Sipas saj, kjo tregon qartë se Shqipëria po zëvendëson prodhimin vendas me produkte të importuara, duke rritur varësinë nga jashtë dhe duke shtuar presionin mbi çmimet.
“Produktet që sot shkojnë në tryezat e qytetarëve vijnë nga jashtë, sepse Shqipëria nuk po prodhon më,” deklaroi ajo, duke akuzuar qeverinë se ka zgjedhur të braktisë fermerin shqiptar dhe të stimulojë indirekt rritjen e çmimeve përmes politikave të gabuara fiskale dhe ekonomike.
Në përfundim, Tabaku theksoi se bujqësia ka nevojë vetëm për një mbështetje minimale për të prodhuar më shumë dhe për të garantuar çmime të përballueshme për qytetarët.
“Toka shqiptare prodhon. Fshati shqiptar prodhon. Por bujqësia është në rrezik – dhe ky rrezik është transferuar tashmë në rritjen e çmimeve në tryezat e qytetarëve,” përfundoi ajo.
Komente










