Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku doli në një deklaratë për mediat pas kërkesës së SPAK që i kërkon Kuvendit autorizimin për arrestimin e Arben Ahmetajt.  Ish kryetarja e Komisionit Hetimor për inceneratorët dhe zëri më i fuqishëm i opozitës në denoncimin e tyre, Jorida Tabaku i kërkon Arben Ahmetajt të bashkëpunojë me drejtësinë për të zbërthyer të gjithë aferën.

“Thirrja ime është të bashkëpunoni me Drejtësinë, bashkëpunoni me SPAK-un. Shqiptarët kanë nevojë që sot t’i shkojnë kësaj afere deri në fund”, u shpreh Tabaku.

Duke iu referuar dosjes së SPAK, Tabaku thotë Ahmetaj ka ushtruar presion mbi vartësit e tij për të hedhur firmën për inceneratorët.

“Zyrtarët e shtetit janë thirrur në zyrë nga ish-zv. Kryeministri dhe i është bërë presion për të firmosur.  A ka kapje shteti më të madhe se një Drejtor i Ministrisë së Financave i thotë Ministrit unë nuk e firmos se ka këto probleme dhe të gjitha këto email-e i shkojnë pronarëve të inceneratorëve?”, tha Tabaku.

Njëjtë si faktorët e tjerë opozitarë, deputetja e PD kërkon që pagesat të ndërpriten dhe inceneratorët t’i kalojnë bashkive.

“Pyetja që çdokush bën sot është; si ka mundësi që me gjithë këto arrestime, akuza dhe fakte ende sot shqiptarët paguajnë me paratë e tyre tre instalacionet e korrupsionit në Shqipëri. unë besoj që duhet ti kalojnë menjëherë në pronësi bashkive dhe duhet menjëherë bashkitë të marrin në administrim këto tre djegësa”