Tabela me çmimet,sa do paguhet
për ndërtimet e para vitit 1991

Tabela me çmimet,sa do paguhet<br />për ndërtimet e para vitit 1991
TIRANE - Për ndërtesa të cilat janë ndërtuar para 1991-it, që të marrësh tapinë, duhet të paguash minimumi 200 mijë lekë të reja. Qeveria ka miratuar çmimet për kalimin e pronësisë për të gjitha banesat e vjetra dhe bie në sy se për një shtëpi bashkë me truall deri në 100 m2, paguhet 200 mijë lekë, ndërkohë që çmimi vjen duke u rritur në varësi edhe të hapësirës. Tek ky çmimi futet edhe sipërfaqja rreth e rrotull shtëpisë.

Kështu për një sipërfaqe nga 100-200 m2 do të paguhet 300 mijë lekë, për sipërfaqe nga 201-300 m2, tarifa që do paguhet është 400 mijë lekë. Ndërkohë për sipërfaqe nga 301-400 m2 do paguhet 500 mijë lekë, ndërkohë që nga 401-500 m2 do paguhet 600 mijë lekë. Në këtë mënyrë të gjithë ata persona të cilët nuk kanë marrë tapinë ose hipotekën, duhet të paguajnë tarifa nga 200-600 mijë lekë të reja.

Procedura e kalimit të pronësisë
Vendimi i qeverisë që është publikuar në Fletoren Zyrtare përcakton se do të bëhet verifikimi në terren i të gjitha pronave, përpara se të bëhet kalimi i pronësisë. Sipas vendimit kalimi i pronësisë do të bëhet brenda 30 ditëve pas dorëzimit të kërkesës, ndërkohë që me të njëjtën formë do procedohet edhe për kërkesat që tashmë janë dorëzuar nga qytetarët.

Verifikimi i kushteve bëhet nëpërmjet inspektimit në terren nga punonjësit e tij, si dhe nga marrja e informacionit zyrtar nga institucionet shtetërore. Në çdo rast, institucioni i autorizuar kërkon detyrimisht informacion zyrtar pranë zyrës përkatëse vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, Agjencisë së Trajtimit të Pronave, ALUIZNI-t, Zyrës së Gjendjes Civile dhe/apo çdo organi tjetër shtetëror që administron të dhëna apo informacion për pasurinë e paluajtshme objekt shqyrtimi, dhe për vërtetimin e gjendjes familjare të poseduesit të pasurisë së paluajtshme përpara datës 10.8.1991.

Korrespondenca bëhet pjesë e dosjes. Çdo institucion shtetëror është i detyruar të kthejë përgjigje, me shkrim, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së kërkesës. Në rast të moskthimit të përgjigjes brenda këtij afati, drejtuesi i institucionit të autorizuar njofton, me shkrim, ministrin e Drejtësisë dhe kabinetin e Kryeministrit.

Institucioni i autorizuar, brenda 30 ditëve nga miratimi i këshillit të qarkut, bën kalimin e pronësisë së pasurive së paluajtshme e të truallit funksional të tyre, në emër të personave, sipas përbërjes familjare që figuron në certifikatën familjare deri më 10.8.1991, dhe e dërgon vendimin për regjistrim në ZVRPP-në kërkuese, duke vënë në dijeni dhe personat përfitues.

Vendimit i bashkëlidhet kopja e njësuar e dosjes me dokumentacionin e plotë. Së bashku me dërgimin e vendimit për regjistrim institucioni i autorizuar (bashkia) njofton ZVRPP-në edhe për faktin nëse subjekti përfitues ka kryer ose jo pagesën e tarifës së shërbimit dhe pagesën e çmimit për tjetërsimin e truallit funksional. 

Në rast se shqyrtimi i kërkesës në institucionin e autorizuar është iniciuar me kërkesë të individit, institucioni i autorizuar, brenda 7 ditëve nga miratimi i këshillit të qarkut, por përpara nënshkrimit të aktit përfundimtar të kalimit të pronësisë dhe dërgimit të tij për regjistrim, njofton zyrtarisht kërkuesin për vlerësimin pozitiv të kërkesës, si dhe për detyrimin për të paguar brenda 30 ditëve, për llogari të Agjencisë së Trajtimit të Pronës, për fondin e kompensimit financiar, çmimin e truallit, duke i treguar edhe numrin e llogarisë.

Në njoftim jepen të dhëna për kufijtë, sipërfaqen në m2 dhe vendndodhjen e pasurisë objekt kalimi në pronësi, të shoqëruar me genplanin dhe planimetrinë përkatëse.

Tarifa
Kërkuesi, me marrjen e njoftimit, paguan në numrin e llogarisë së caktuar, për llogari të fondit të kompensimit të pronave, kundërvlerën në lekë për sipërfaqen e truallit që do të kalojë në pronësi të tij.

Vlera në lekë paguhet nga kërkuesi për kalimin në pronësi të truallit. Me paraqitjen e dokumentit bankar që vërteton kryerjen e pagesës së kalimit në pronësi të truallit, institucioni i autorizuar, brenda 20 ditëve nga administrimi i tij, nënshkruan aktin përfundimtar të kalimit të pronësisë së pasurive së paluajtshme e të truallit funksional të tyre në emër të personave, sipas përbërjes familjare që figuron në certifikatën familjare deri më 10.8.1991, dhe e dërgon vendimin për regjistrim në ZVRPP-në përkatëse, duke vënë në dijeni dhe personat përkatës përfitues.

Vendimit i bashkëlidhet dokumentacioni hartografik që evidenton pasurinë objekt kalimi në pronësi, kopja e njësuar e dosjes me dokumentacionin e plotë e cila përfshin dhe dokumentacionin bankar që vërteton kryerjen e pagesës së truallit.

Për ndjekjen e procedurave të kalimit në pronësi, sipas këtij vendimi, paguhet tarifa e shërbimit, e cila vilet nga institucioni i autorizuar. Masa e tarifës së shërbimit caktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave dhe të ministrit të Drejtësisë.

Në rastet kur procedura është iniciuar me kërkesë të personit të interesuar, vjelja e tarifës së shërbimit bëhet paraprakisht me paraqitjen e kërkesës dhe fillimin e shqyrtimit të saj.

Procedura
Në rast se procedura e kalimit të pronësisë së pasurisë së paluajtshme, nuk ka nisur me kërkesë të përfituesit, dhe ndërkohë organi i autorizuar ka përcjellë dokumentacionin për regjistrim, shoqëruar dhe me të dhënat përkatëse, atëherë, përpara pajisjes me certifikatë pronësie, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, brenda 7 ditëve nga administrimi i akteve është e detyruar të njoftojë subjektin përfitues për: 

- të realizuar pagesën e tarifës së shërbimit, për llogari të institucionit të autorizuar, në numrin e llogarisë bankare të këtij të fundit. Masa e tarifës së shërbimit caktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave dhe të ministrit të Drejtësisë si dhe:

- detyrimin për të realizuar pagesën për çmimin për kalimin në pronësi të truallit. Kërkuesi, me marrjen e njoftimit, paguan në numrin e llogarisë së caktuar, për llogari të Agjencisë së Trajtimit të Pronës për fondin e kompensimit të pronave, kundërvlerën në lekë për sipërfaqen e truallit që ka kaluar në pronësi të tij, sipas vendimit të institucionit të autorizuar. Pas administrimit të dokumentacionit bankar që vërteton kryerjen e këtyre pagesave, zyra e regjistrimit, nëse nuk ka vërejtje apo kundërshtime të tjera, vijon shqyrtimin e praktikës.

Në rastin e kërkesave tashmë të paraqitura dhe për të cilat institucioni i autorizuar nuk ka dhënë ende vendim, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, shqyrtimi i kërkesës dhe i dokumentacionit do të vazhdojë duke plotësuar edhe kushtet e parashikuara nga ky vendim. 

TABELA
ÇMIMET PËR TRUALLIN QË KALON NË PRONËSI


Për sipërfaqe deri në 100 m2 200 mijë lekë

Për sipërfaqe nga 101 m2 deri në 200 m2 300 mijë lekë

Për sipërfaqe nga 201 m2 deri në 300 m2 400 mijë lekë

Për sipërfaqe nga 301 m2 deri në 400 m2 500 mijë lekë

Për sipërfaqe nga 401 m2 deri në 500 m2 600 mijë lekë


(er.nu/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse krijohen kaq shumë parti të reja në Shqipëri?

Kreshnik Spahiu: Pse krijohen kaq shumë parti të reja në Shqipëri?