Tahir Kolgjini: Mustafa Kruja, perëndimi
i yllit të Nacionalizmit Shqipta

Tahir Kolgjini: Mustafa Kruja, perëndimi<br />i yllit të Nacionalizmit Shqipta
Me 27 dhjetor 1958, plot 55 vjet më parë, në Niagara të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u nda nga jeta Mustafa Kruja (Merlika). Mbi këtë humbje, Tahir Kolgjini nji prej miqve të tij, me të cilët Kruja pati edhe letërkëmbim të shpeshtë, shkruan një artikull të gjatë përkujtimor, jo vetëm në shenjë ngushëllimi, por më tepër me fakte  e të dhana njohëse për të zbuluar më tej personalitetin e këtij njeriu shumë të diskutuar  sidomos gjatëve viteve të pas luftës.
Artikullin e tij Kolgjini e boton në revistën “Shejzat” numër 1, 2 të vitit 1959, ndërsa një mesazh  ngushëllimi  vijon pas tij edhe nga redaksia  me drejtor Ernest Koliqin dhe kryeredaktor Martin Camajn.
Në shenjë përkujtimi, me rastin e 55-vjetorit të ndarjes nga jeta të Mustafa Krujës redaksia jonë e sjell të plotë këtë artikull të Tahir Kolgjinit.
 
Mustafa Kruja
Perëndoi mâ i Ndritëshmi Hyllë i Nacjonalizmës Shqiptare
 
Mustafë !
Kur të pata kërkuem ndjesë për vonésën e përgjegjes, Ti, në letrën t’ânde me datë 16 korrik 1958, më thojshe : - “Shëndosh të jemi, se s’ka gjâ pse rrallohen letrat. Ká për t’ardhun nji ditë qi s’kemi përt’i shkruem kurrë njâni tjetrit e ti s’ke për të dijtë se në ç’botë e ke Mustafën ....”.
Edhe bash qashtu ndodhi. As Ti mâ kurrë do të na shkruejshë, as na mâ kemi me mund me të shkruem. I mbylle fletët e kalendarit të jetës t’ânde për gjithmonë, tue na këthyem shpinën e tue na lânun me lot për faqe !...

Po a edhe për jetën t’ande, Mustafë, pate pasun parapamje, si ç’pate parapamë shum ndodhina tjera? Sá i pá mëshirshëm paska pasë qênë ky fat, i cili na ngarkoi né të zezve për me të vajtuem Tŷ, qi u shqepe nesh e për me qamë mjerimet t’ona qi kemi mbétun si zogjt e shkretë e krahëthyem ndepër ferra në kët stuhí, qi po nxjerrë gur’ e dhé ! Në kët stuhí, qi po don me e bâmë ditën natë ...
 
*****
            Po ! Mustafa Kruja, i përvëluem në mërgim nga malli i Atëdhéut, ndrroi jetë me 27 – 12 – 1958 në Niagara të Shteteve të Bashkueme t’Amerikës, tue lânë nji boshllëk të madh n’okólin e parësís së Kombit. Atje në skâjin e asaj bote të largët e paska pasun dhét edhe njâna nga shtyllat mâ kryesore të nacjonalizmës shqiptare.
            Nuk ka mundë, gjithkushi, me e njohtun mirë Mustafa Krujën me të tâna pamjet. Për me mundë me e njoftun dhe me e çmuem Mustafa Krujën, njeriu, për veç qi duhet të ketë qênë pak a shum, në rrafshin e Tij kulturuer e shoqnuer, por duhet qi të ketë pásun me Tê edhe nji farë përzêmërsije.

            Mustafa Kruja, nuk ka qênë  nji harár, ku futen shum plaçka grumbull, por, ka qênë – me gjithë kuptimin e fjalës – nji thesár i vlefshëm. Nji thesár i madh i ndamë në shumë sysekë të ndryshëm. Dhe secili prej këtyne sysekëve, ishte i mbushun pílas me gjâna të çmueshme, si f.v. : me kulturë të gjânë, me moral të  pastër, me edukatë të kulluet, me besë të fortë, me energjí të pá shoqe, me gjykim të shëndoshë, me vendim të premë dhe me burrnín mâ të rrusmueme et. et. Mbi të gjitha  këto vetina, mu si nji  gur’i çmueshëm i shkëlqente ndiesija e thellë  nji dashunije të flakët për Komb e për Atëdhé. Me nji fjalë, Mutafa, i gëzonte të tâna cillsinat e mbara si nji trashigimtár i dênjë i brezninave të vjetra të racës së lavdishme shqiptare. Thuese, Aj,  qe krijuem në përshtatje të plotë me dëshirën e vet.

            Në kët mënyrë, Mustafa, simbas natyrës së marrëdhânjeve, qi kishe me Tê, do të fillonte me i hapun sysekët e vlerave të veta nji nga nji e shkallë shkallë dhe aty, ndepër dritën e këtyne, do të niste me u dukun naltësija e personalitetit të Tij, gjithnji tue u rrijtun.
            Prá ata qi nuk kan pasun rasë me qênë në marrëdhânje të ngushta me Tê, ose ata,qi, për nji shkak ose për nji tjetër, kan qênë të ndikuem prej shkulmave propagandistikë të kohës vend e pa vend, për të cillët, historija, ende nuk e ka çfaqun gjykimin e vet – me gjithë qi tashmâ ia kan sisë me u dukun lakuriq përfundimet e ngjarjeve – kan arsye mos me e njoftun mirë Mustafa Krujën.

            Un, si nji njeri, qi ka pasë mundë me depërtuem bukur si shum në thellsinë e shpirtit të Mustafa Krujës, nuk kam ndërmend – dhe as jam në gjendje – me folun mbi kompetencën e Tij të gjânë në lâmën e kulturës ose mbi politikën e zhvillueme  prej Tij  në lidhje me fatin e Atëdheut. Për këto pika, do të flasin, ndoshta, tjerë burra, qi janë në gjêndje mâ të përshtatëshme se un. Dikuer, pa tjetër, ká për t’a thânun fjalën e fundit dhe historija vetë, mbasi të jenë ftohun gjaknat e të jenë qetësuem prrâjt (= nervat), të cillët, tash për tash, ndodhen të trázuem e të kapërthyem prej ndodhinave, qi sollën nji shkatrrim të madh  në  aqpeshimin e gjendjes shqiptare. Atëherë ajo, ká për t’i lnorun, për t’i peshuem e për t’i krahasuem ngjarjet në lidhje me përfundimet e tyne përkatse.
            Prá, un, do të flas shkurtas mbi virtytet morale, qi përbâjnë personalitetin e Mustafa Krujës.
*****  

            Mund të thom pá frikë haprimi se, mbas këndej, si për kah njoftja e zakoneve shqiptare ashtu dhe për kah nderimi e zbatimi i pjesës së mirë të tyne, në botën shqiptare, âsht vështirë qi të lejnë, aq shpesh, shokët e Mustafa Krujës. E kishte për detyrë me ndigjue mâ shum e me folun mâ pak. Kur ndigjonte, e përmblidhte krejt vemendjen në bisedë dhe, në rasë se nga ana tjetër kishte arsye, i shtrohej pá nji pá dý. Jo veç me iu shtruem, por, në qoftë se ana tjetër e kishte lânun mêtë, Aj,  iu shtonte arsyetimeve edhe dishka nga ana e vet, me qëllim forcimi t’argumentit.

Kur bisedonte, folte kadalas, rrasët e gjithnji tue u menduem e tue u arsyetuem me shembuj e me prova. Në mendimet e Tij kurrë nuk kishe me hasun në ndonji konfuzjon. Edukata e Tij shêmbullore, nuk e lêjonte me shamë tjerët ose me folun banalisht për ndokênd. Nuk e kishte për zakon me riprodhuem mahina ose tregime, qi nuk i kan hije gojës së nji zotnije. Ndonji herë , kur çfaqej me shtek ndonji mahi, e rreshtonte këtê në nji formë të bukur e delikate, tue i dhânun kuptim përkitas me ndonji ngjarje ose me ndonji çashtje nga e cila mund të merrej nji mësim i dobishëm. Gjykimi i mprefët dhe mendmbajtj e Tij e mrekullueshme, të bâjshin  përnjimend me u habitun.

            Mustafa, sa i urtë ishte në rrethin familjar e shoqnuer, aq i gjallë dhe hovmadh ishte në zbatimin e detyrave, qi kan  lidhje me marrëdhânjet familjare e kombtáre. Aj, gjithmonë vendoste, mbasi t’a kishte situn imtësisht problemin, simbas rrethanave. Dhe mbasi të kishte vendosun nji herë, nuk këthente mâ kurrë në gjymës të rrugës, por, i grahte me sá fuqí qi kishte, për t’a përmbaruem vendimin e vet në trajtën mâ të përsosun, qoftë edhe me flîjime të rânda ; sepse nji vendim i pazbatuem ose i pazbatueshëm, nuk kishte kuptim për Tê.
            Dý gjâna ishin, ato, qi mund t’ia lidhshin kâmbë e duer Mustafës në zbatimin e vendimit të vet : Kur çashtja paraqitej e papajtueshme me interesat e Atdhéut, ose kur ajo, vinte ndesh me parimet e Tija morale.
 
***** 
 
            Mustafa Kruja, në veprimet e veta si burrë shteti, gjithmonë ká qênë i prijmë prej udhzimeve, qi e kishin rrânjën në shkencën pozitive, me të cilën ishte i pajuem. Ç’do hap e hidhte në mbështetje të njij paracaktimi  të studjuem hollësisht. Prandej, si i tillë, ka qênë ngushtësisht njeri i programit. Tek Aj, nuk gjêjshin mirëpritje formulat si “Shif e bân!” e  “Shkel e shko!”. Nuk i pat përvetuem kurrë këto formula. Pikënisht për kët shkak, asnji kompromis nuk bânte rreth programit, qi kishte përpiluem, për arsye se ishte besimtár i patundun në ç’kishte sajuemun për të mirën e përgjithëshme.

            Dikushi, e kritikon Mustafën, tue thânun se në Shqipní, programet nuk janë të zbatueshme ; prandej, Aj, duhet t’ishte nji akrobat politik dhe t’i përshtatej gjendjes. Mirëpo, Mustafa, mendonte krejt ndryshe. Aj thonte se : -“Në kët botë, nuk ká gjâ mâ të kollajt se me bâmë idarei maslahat, qi na tash po i thomi oprtunitet. Un për të dijtë e di këtê, por, nuk e bâj ; sepse “Idare- Maslahat”-i, të lejon me e pranuemi e me e vazhduem gjendjen ashtu si ç’âsht ani pse nuk mbërrijhet në ndonji përmirësim. Dmth. : Në vend numrò ! Kurse na duhet të përmirësojmë e të krijojmë, tue shkuem përpara, mbasi, qoftë si jetë shoqnore, qoftë si jetë shtetnore, kemi mbetun shum mbrapa. Kemi mbétun vonë e na ka zânun vapa n’udhë. Nuk mund t’i mbërrijhet synésës, tue thânun : “Mirë qumështi e mirë kosi !”.

            Pa dyshim, vullneti i fortë dhe ideali i nalt, qi shtrabzonte nga shpirti i Tij, nuk e lêjojshin Mustafën me u strukun e me u ngujuem mbrapa formulave këso dore, qi përfaqsojnë mâ të madhen plogsí e qi mund të vlejnë vetëm për nji koltuk të thatë ... Për nji shkâmb, qi i brénë shpirtin atij, i cili ka ndërgjegje të pastër e trêmbet para përgjegjësís  së detyrës. Prandej Mustafa, tue qendruem  në vijën e realitetit, e mëninte si idarei masllahatin ashtu edhe fluturimin n’utopina.

            “Ȃsht demoduem, Mustafë, “ i pata thânun nji herë , “regjimi i monarkís ; prandej, qendrimi Yt me kambëngultje si monarkist, ....”.
            “Edhe un, e besoj”, më tha, ”se regjimi republikan, âsht mâ ideal, por, un, bâj politikën, qi i përket brezit t’em. Struktura e shqiptarëve, si âsht në gjendjen e sodëshme, po më duket mâ e përshtatëshme për monarkí. Do të vijë nji kohë qi shqiptarët, do t’a meritojnë edhe republikën, por, un, nuk kam për t’ia mbërrijtun asaj dite”.
 
*****
            Qenë fare të rrallë, në botën shqiptare, ata, qi patën përqfun “vetëmbrojtje”-n dhe “vetëmohim”-in në kuptimin qi iu pat dhânun Mustafa Kruja, këtyne parimeve, rrotull së cilave vërtiten të gjitha mârrëdhânjet njerzore. Mustafa, i udhëhjekun prej dritës së këtyne dý pishtarëve themelorë të jetës, të pá ndashëm prej njâni tjetrit e tue i dhânun rândësi ma tepër moralitetit se sá pjesës materjale, ishte nji tip, qi kur e këshillonte interesa e përgjithëshme, nuk i bânte lak kurrë përgjegjësís. Në rasa të tilla ishte gati për t’u vetëmohuem, pá mârrun parasŷsh se, ndokush ose ndonji grup, nuk ia kursente kritikat. Për Atê, mjaftonte me pasë formuem besim se, rruga e Tij ishte mâ e drejtë dhe mâ e dobishmja ndër tjerat.

            Por, kur e shihte se, po don me iu kërcnuem ndonji cenim në pjesën morale të personalitetit të vet, atëherë, pozitat e nalta dhe rrogat e mâjme, nuk kishin rândësí për Tê, as sa banë miza në fletë. Për mos me mposhtun vehten moralisht, ishte i zoti me i shkelmuem të tâna këto , sa çel e mshel sŷt. Kështu ngjau, kur dha dorëhjekjen. – bashkë me pjestarët e qeverís  së kryesueme prej Tij – për shkakun e vrasjes së Qazim Koculit në Vlonë. Atëherë, me qênë se u ndodha rastësisht si ndigjues në këshillin ministruer, i mora lêje dhe i shfaqa mendimin  t’em se, nuk ishte koha e dorëhjekjes. Më tha :

            “Disa shqiptarë, po kërkojnë prej meje, aq sá s’mund të bâj ; ndërsa, do tjerë, po më pengojnë. Un çdo gjâ nuk kam në dorë. N’anë tjetër Qazim Koculin e pata çuem vetë në Vlonë. E, për dersá urdhnat e mijë nuk më zbatohen për kapjen dhe dënimin e shkaktarëve të vrasës së Koculit, o më duhet me pranuem se e kam vramë un, ose më duhet me dhânë dorëhjekjen. Un nuk mund të çvéshem nga vehtja e eme”.
            Kjo, qe sjellja e njij njeriu, qi e nderonte opinionin dhe nuk duronte me i prekun as me pendël në sedrën e tij morale.
            Pikënisht për mos me njollëzuem vehten përpara opinionit, pat parapëlqye me përshkuem nji jetë modeste e, sidomos gjatë perjodës së këtij emigracjoni të trishtueshëm, qe shtrëngue, ndonji herë, me pranuem prej ndonji miku, ndihma në të holla. Jo se nuk pat rasë me i ra pré ndonji strupulli ....
 
***** 
            Nji herë, para disa vjetësh, kur ishte n’Egjypt, i pata shkruem nji letër, ku, medis tjerash, i thojsha edhe se, duhej t’ia niste me shkruem dishka mbi arsyenat, qi e patën ngallijtun Atê dhe shokët, me bashkëpunuem me italjanë e me gjermanë, gjatë luftës së dytë botnore, mbasi nji pjesë e opinionit, ndoshta e prekun prej sentimentit, qi polli fatkeqësija e ngjarjeve, ishte tue na gjuejtun me kritika t’ashpërta. M’u përgjegj :
            “A mos po don me më shtijmë qi të filloj  me shkrue kujtimet e mija politike ? Qebesa aspak nuk e kam menden me i hŷmë kësaj vallje. Ç’do kush, âsht i lirë me mbajtun mendimin e vet. Sa për mue, sikur të këthente edhe nji herë ajo kohë me të njâjtat rrethâna, nuk kisha me vepruem ndryshe, veçse me shkuem ndepër ato gjurma, qi kam pasë ndjekun”.

            Kjo, tregon çeltas se, Mustafa, kur besonte ngultas në drejtimin qi kishte marrun, e vazhdonte rrugën e vet vrullë e pa ia vûmë veshin shigjetave qi i vringllojshin djathtas e majtas. Ishte tolerues për kritikat e tjerëve. Cilësi e njerzve, qi kan guxim me mârrun nisma të mëdhaja politike.
            “Ti Mustafë, je kundër bejlerve !”, i tha njâni nji herë, kur ishim të ftuem në nji darkë prej Gjon Marka Gjonit në Romë.
            “Jo!”, u përgjegj me nënqeshje, “un kurrë nuk kam qênë kundër bejlerëve. Un, jam kundra atyne, qi abuzojnë në shoqnín kombëtare dhe i hypin më  qafë atij ose këtij, pá pasun asnji të drejtë. Ndër bejlerë kam shum miq, qi meritojnë respekt. Kur më qëllon rasa me dëshmuem për ndonji bej të mirë, mbasi t’i përshkruej cilsinat e vlefëshme personale, shtoj edhe se, âsht djalë, ose burrë i njij familjeje fisnike... “
            Këtu, ndodhemi përpara Mustafës, qi i epte rândësi punës, thelbit vetë të vlerave të njeriut, e jo fjalës ose pozitës. Si ç’ka thânun Leka : “Prej të mirit del i keqi; prej të keqit del i miri”. Njerzit peshohen me punët qi bâjnë.
 
*****
            Mustafa Kruja, si dijetár i madh, si puntuer i pá lodhshëm dhe si atëdhetár i vërtetë, u përpoq me i dhânun dritë rrethit ndepërmjet të kulturës dhe të zakoneve të mira shqiptare. Veçanisht përpiqej me i shërtuem gjithkuej, nji dashun të pá kufishme për gjuhën t’onë. Ishte kjo dashuní, qi e shtrëngoi Mustafën me botuem librin “ Abetar’i të Mërguemit”. Me ia nisun punës në themel.
            Para do vjetësh, për t’i mësuem mendimin, i pata dërguem nji varg artikujsh – mâ se 40 – të shkruem në gjuhë të huej mbi situatën e sodëshme e të botuem prej njij nga fletoret e vendit. Nuk mungoi me më tërhjekun vrejtjen :

            “Or ... i dashun ! Artikujt qi mi dërgove, më kan pëlqyem fort, por, për tyrqishten, italishten, gjermanishten e tjera, ká kush punon. Na, kemi nevojë me punuem për gjuhën t’onë, për shqipen. Nuk janë tue na ndihmuem gjâ ato veprat e shkëlqyeshme qi kan bâmë shqiptarët  për vende të hueja. Pra, përmblidhu, bre burrë, e puno pak edhe për shqipen !”.
            Ku dhêmb dhâmbi shkon gjuha. A mund të rrinte pá e bâmë kët porosi qortuese, kryemjeshtri i shqipes, qi ishte shkrumuem qysh në riní të vet me flakën e dashunís për Kombin dhe për gjuhën e vet, së cilës ia kushtoi mundimin deri në minutën e fundit ?
 
*****
            Si ç’merret vesht nga libri “Türkiyede Syasi Partiler” (Partinat Politike në Turki) – faqe 149 – i Dr.Tarik Z.Tunaya, Profesor n’Universitetin e Stambollit, Mustafa Kruja, qysh kur ishte student në Mülkiye (Fakulteti i Shkencave Politike), me emnin Kruyali Mustafa Asim,, ka pasë mârrun pjesë aktive në këshillin drejtues të “ Cemiyeti Inkilâbiye”-s, qi don me thânë “Shoqni Revolucionare”, e formueme në Shtatuer 1904 prej Hamid Ongunsu, Satvet Lûtfi Tozan, Ferid Necdet, Dr. Mahmud Bey e tjerë, për të luftuem tiranín e Sulltan Hamidit dhe për t’a shtrënguem këtê qi të vênte në zbatim statutin themeltar të vjetës 1876, të cilin , Sulltani, nji herë e pat pranuem e mâ vonë e pat pezulluem. Mustafa , në kët kohë , do të ketë qênë 16 – 17 vjetësh.

            Mâ vonë, Mustafën e shofim, po me emnin Mustafa Asim, ndërmjet atyne atëdhetarëve fatmirë, qi patën rrethuem Ismail Qemalin, kur ngrêjti Flamurin në Vlonë me 28 – 11 – 1912.  Mandej Mustafa duket vazhdimisht në skenën politike shqiptare, herë si revolucjonar me armë në dorë e herë si dirigjues. Por, në të tâna rasat, tue qêndruem larg çdo demagogjije e spekulimi.
            Qe brumzuem me mâ të mirin ideal dhe u shkrij e shkoi, bashkë me tê, si besnik i pa thyeshëm i rrugës së vet të shênjet....
 
*****
            Po të vréhen tugjind, dmth. të gjitha s’bashku, vlerat e Tija, kisha me thânun se, në botën shqiptare, sod për sod, Mustafa Kruja, ka qênë i pá zavêndësueshëm. Janë të rrallë ata njerz, qi t’iu ketë dhurue natyra kaq cillsina të mira si ato të Mustafës.
            Ora e zezë, âsht tue rânduem për mbi né, qi po na dënon fati i keq me i përcjellun, nji nga nji, apostujt e shqiptarís, tue i shëkuem për mbrapa me duer në gjí e me qafë të ngërmueme. Ata fatbardhë, e krijuen Shqipnín dhe ia dorëzuen brezit të rij, tue e pasë përmbushun detyrën e tyne. Qofshin lavduem gjithmonë e jetë. Tash, të rijve iu përket me u treguem bijë të meritueshëm të këtyne burrave !...
 
*****
            Mustafë !
            Flêj i qetë, tue pasun me vete hirin e të Madhit Zot, atje ku ké ramë n’atë dhé të huej ! S’ka gjâ pse jé larg, se shpirtin t’ând – sado e madhe qi të jetë – nuk e danë distanca prej Nânës Loke Shqipní ! ...
            Me të vërtetë, shkove i përvëluem qi nuk munde  me e pamë Shqipnín ashtu si ç’e pate sajuem n’ândërrimet t’ua, por, nuk duhet me të mbétun djegë, mbasi pate punue e bâmë mjaft për Tê e mbasi ia pate vûmë gishtin me kohë edhe kësaj plage të pëgâme, qi tash, pá pushuem, po na kullon gjak.
             Mos kijë kujdes aspak!

            Kâ nisë me lëshuem en brezi i ri mirënjoftës, i cili, tue çmuem veprat t’Ua, të zhvillueme e të botueme deri tash dhe ato 10-15 tjerat, qi janë gati për t’u botuem mbas këndej, nji ditë, ká për me t’i prûmë eshtnat t’Ua n’Atëdhé e ka për me t’i venduem me nderime të posaçme në Krujën t’ânde, atje në trojet, ku ká lemë Heroi i ynë Kombtar, Skënder Beg Kastrijoti.
            Të jesh i sigurtë !
            Nuk vdesin, jo, njerz si Ti, qi u shkrîjtën, tue punuem nat’e ditë për Komb e për Atëdhé. Ata, janë të përjetsuem për né, se shqiptarët, qi dijnë me ruejtun cillsinat stërgjyshore, nuk kan me qênë kurrë mohimtarë të vlerave kombtare ; kurrë nuk kan me i përbuzun të mirat.
            E na, kemi me të kujtuem sá të jemi gjallë ; kemi me qênë afër Teje sá të na rraktojë zêmra në kët jetë. E dikuer, do të jemi afër Teje edhe me shpirtë atje n’amshim, ku fluturove Ti !
           
*****
            Lum kush lên nji ushtimë të mirë në ket botë, se na, të gjithë, jemi të birët e vdekjes.....
                                                                                                LOK  LIMTHI
 
            Me zhdukjen e Shpend Bardhit, luftarit të papërkulshëm të betejave mâ të guximshëme në mproje të shqiptarizmit, të studjuesit qi shkrîni jetën e vet për të mveshë me dritë qytetnije menden e zêmrën e Arbnorvet, të Qytetarit, të Prindit, të Mikut shembulluer qi nderoi me ndërgjegjen e vet të naltë emnin e kombit, “Shêjzat” humbin shtyllën mâ të fortë e të qindrueshme. Por e ndiejmë se Ai me shpirt âsht gjithënji mes nesh e prandej na do t’i rrijmë besnikë trashigimit të tij moral e atdhedashës : besim në vërtyte të thella të kombit dhe veprimtarí të pakëputuna për të ndërtue Shqipnín e madhe, të lir e të lavdëshme, Nânë e të gjithë Shqiptarve, pa kurrnji dallim.
            Familjes së mjerueme n’Atdhé, djalit Dr.Bashkim Merlika e motrës zojushë Gjire, u paraqesim përdhimtimet t’ona në kët kob qi randon edhe mbi né si mbi ata.
 
 
 Shkrimi u publikua sot (29.12.2013) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

SHBA, thirrje Venezuelës të bëjë sa më shpejt publike të dhënat e plota për zgjedhje

SHBA, thirrje Venezuelës të bëjë sa më shpejt publike të dhënat e plota për zgjedhje