TIRANE- “Medalje në gjoksin e policisë shqiptare”, e ka cilësuar ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, arrestimin e të shumëkërkuarit Ilir Kupa në Lezhë. Kupa u arratis nga burgu i Trikallas së bashku me 10 shqiptarë të tjerë që vuanin dënimin në qelitë e burgut të shtetit grek.
 
Ministri Tahiri tha se krahas veprave penale në Greqi, Ilir Kupa po hetohet edhe lidhur me grabitjet e fundit të ndodhura në vendin tonë. Një nga ngjarjet kriminale është dhe ajo e grabitjes së argjendarisë në TEG dhe ka dyshime se ato janë të përfshirë në këtë grabitje.
 
“Unë besoj që arrestimi i Ilir Kupës është një medalje në gjoksin e Policisë së Shtetit shqiptar, Policisë së Tiranës, FNSH-së, RENEA-s, të gjithë ne pra. Keni dijeni pra për karrierën kriminale të Kupës, për atë që ka ndodhur në Greqi, për ndjekjen e vazhdueshme të Policisë greke. Përtej shkëmbimit të informacionit, lidhur me atë që ka bërë dhe bashkëpunimit me policinë greke, kemi hetuar edhe çështje të cilat kanë qenë goxha sensitive në Shqipëri. Hetimet vazhdojnë lidhur dhe me grabitje me armë që unë besoj me arrestimin e Kupës do na çojnë në rrugë të mbarë”, tha Ministri Tahiri.
 
Ministri i Brendshëm tha se hetimet kanë filluar menjëherë pas arratisjes së Ilir Kupës nga burgu i Trikallas, ndërsa theksoi se këto vijimë u intensifikuan më tej gjatë ditëve të fundit, duke çuar edhe në arrestimin e tij.
 
“Hetimet kanë nisur së pari për shkak të arratisjes së tij në Greqi, pastaj dhe për ngjarjet që kanë ndodhur në Tiranë. Tri ditët e fundit janë intensifikuar goxha dhe rezultatet erdhën. Detaje lidhur me operacionin, s’ia vlen as t’i jap sepse vazhdon dhe unë pres rezultate të tjera. Por ndërkohë ajo që është e rëndësishme është që Policia e Shtetit është në këmbë dhe shumë shpejt rezultatet do flasin akoma më fort sesa zëri i të gjithë atyre që çirren sot majisur panik tek qytetarët”, vijoi Tahiri.
 
Sipas ministrit të Brendshëm, kanë qenë grabitjet me armë të ndodhura në Tiranë gjatë muajve të fundit, ato që kanë çuar hetimet në drejtimin e duhur, për të mundësuar arrestimin e Ilir Kupës.
 
Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve lidhur edhe me dy persona të tjerë që ndodheshin me Kupën në momentin e arrestimit, por më pas janë larguar, ministri Tahiri sqaroi se “Aksioni vazhdon edhe tani që flasim dhe unë besoj që do të ketë rezultate të tjera. Ne jemi shumë të vendosur për të luftuar krimin në çdo skutë, siç jemi shumë të vendosur që edhe ndaj atyre që e nxisin, apo e provokojnë, të bëjmë që duhet”.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)