“Mua më vjen mirë që ish-kryeministri, pas 25 vjetësh e gjeti rrugën për të shkuar në Prokurori. Shpresoj që kjo si herë e parë të mos jetë hera e fundit, por në qoftë se kësaj radhe shkoi si dëshmitar, herët e tjera të shkojë si i akuzuar". 

Kështu deklaroi ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ndërsa u pyet për akuzat e ish-kryeministrit Sali Berisha se ka mbajtur fshehur çështjen e deputetit Tom Doshi për 6 muaj.
 
“Unë jam në krye të detyrës dhe jam shumë i vendosur të bëj atë për të cilën qytetarët më kanë mandatuar mua, kolegët e mi, Kryeministrin, qeverinë dhe mazhorancën.
Kemi bërë gjithçka ka qenë në dorën tonë dhe tani është radha që të flasë Prokuroria dhe unë shpresoj që prokuroria, dhe nxis madje që të mbyllen hetimet në mënyrë të shpejtë dhe cilësore, që të dalin para përgjegjësisë të gjitha ata që sajuan skenarë të tillë, që nuk janë aspak të denja për pritshmëritë e qytetarëve.”, theksoi më tej ministri i Brendshëm. Deklarata ministri Tahiri i bëri pas çeljes së Zyrës së Shërbimit Unik për Qytetarët në Komisariatin nr. 1 në Tiranë.


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)