TIRANE - Deputeti socialist, Saimir Tahiri, i cili u dënua sot nga Gjykata e Tiranës me 5 milionë lekë gjobë për shpifje ndaj fëmijëve të Kryeministrit Berisha, deklaroi se ka ndërmend të apelojë vendimin që sipas tij është shenja më e qartë pse sistemi i Drejtësisë kërkon një reformë themelore.

“Ishte një vendim thuajse jo surprizë për mua, për sa kohë edhe procesi gjyqësor ishte i montuar politikisht deri në atë pikë sa nuk linte shpresë që do ishte një vendim i drejtë, i paanshëm. Kam frikë se nuk foli drejtësia në këtë rast. Folën fëmijët e kryeministrit me gojën e gjyqtarit. Siç kam frikë se ky gjyqtar dëshmoi edhe njëherë si drejtësia mund të jetë e sëmurë deri në pikën që të instrumentalizohet dhe t’i nënshtrohet pushtetit politik”.

Tahiri e konsideroi dënimin të padrejtë. “Duke qenë se gjyqtari penalizon fjalën e lirë të të gjithë atyre që kanë guxim të tregojnë me gisht ata që vjedhin dhe ata që abuzojnë me pushtetin. Kështu që nuk jam unë ai që është dënuar sot. Sot janë të dënuar përsëri fëmijët e kryeministrit, përsa kohë na treguan edhe njëherë se ç’janë në gjendje të bëjnë me pushtetin e babait”, tha deputeti socialist.

Tahiri bëri thirrje për bashkim në një front të vetëm për të fituar në dyert e drejtësisë. “Unë do e apeloj vendimin dhe do të ndjek të gjitha hallkat e drejtësisë – tha ai pas procesit - I bëj thirrje gjithkujt ka mundësi të ndërgjegjësohet në lidhje jo vetëm me çështjen time por me mënyrën sesi administrohet pushtetit në Shqipëri dhe me mënyrën sesi abuzohet pushteti nga familjarë dhe klientela e kryeministrit, të bashkohen në një front sepse përndryshe askush nuk do arrij të rifitoj të drejtën në dyert e këtyre gjykatave”.

Sipas deputetit të Partisë Socialiste, “ky vendim i sotëm dhe shumë vendime të tjera, por jo vetëm kaq, edhe rropatja e qytetarëve në dyert e drejtësisë, është shenja më e qartë pse sistemi i drejtësisë kërkon reforma themelore. Në radhë të parë për të garantuar pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe pastaj funksionalitetin në interes të qytetarëve dhe fëmijëve të çdo shqiptari të zakonshëm, jo të fëmijëve të kryeministrit”.

(im/shqiptarja.com)