Tahiri: Garda do të shkrihet
totalisht, 21 Janari s'arkivohet

Tahiri: Garda do të shkrihet<br />totalisht, 21 Janari s'arkivohet
TIRANE- Pas 85 vjetësh, Garda e Republikës do të shkrihet, nuk do të ekzistojë më si e tillë dhe do të reformohet tërësisht brenda 100 ditëve.  Procesin e reformimit të saj do ta drejtojë Gramoz Sako, i cili është komanduar nga Ministria e Brendshme për të përballuar reformat. Po ashtu, për ta larguar nga drejtimi politik e kthyer në një institucion buxhetor, Garda nuk do të varet më nga Ministria e Brendshme, por nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Ky fakti u bë i ditur nga Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri sot, në takimin me drejtuesit e Gardës. Tahiri e nisi fjalën e tij duke kujtuar përgjegjësinë që ra mbi Gardën e Republikës pas vrasjeve të 21 Janarit, përfshirjen e disa drejtuesve të saj në të dhe natyrisht, theksoi faktin që ajo çështje ende pret drejtësi e nuk do t'i lihet harresës.

TAHIRI: NJE PJESE E GARDES, PERGJEGJESE PER MASAKREN POR DHE PER TIFOZLLEKUN

Ministri Tahiri tha: "Nuk besoj ekziston ndokush që e fsheh dot peshën e përgjegjësisë që rri mbi Gardën e Republikës që prej ngjarjeve tragjike të 21 Janarit, dhe procesit që pasoi. Shumica dërrmuese e efektivit të Gardës së Republikës është ndjerë padrejtësisht e ngarkuar me një barrë përgjegjësie publike jo të vogël. Them padrejtësisht, sepse veprimet kriminale të disave, hodhën baltë të pamerituar mbi vetë institucionin e Gardës së Republikës. Por mbi të gjitha, mbi efektivët e ndershëm të Gardës së Republikës, të cilët sot dua t’i falenderoj e t’i siguroj se garanci për karrrierë është besimi te përmbushja e detyrës sipas ligjit.
 
Ka dhe një pjesë tjetër, ndonëse e vogël, që edhe pse drejtësia nuk është vënë në vend për vrasjet e 21 Janarit, nuk i shmangen dot peshës së fajit, drejtësisë dhe përgjegjësisë përpara ligjit. Kjo vlen për atë pakicë që 21 Janarin e ktheu në masakër, por dhe për atë pakicë që procesin gjyqësor e ktheu në tifozllëk. Lexo më shumë: Fjala e plotë e Ministrit Tahiri
tahiri me drejtues te gardes
 (Ne foto: nga majtas, Gramoz Sako, Saimir Tahiri, Artan Hoxha)

Është në vullnetin e qeverisë dhe të Kryeministrit Rama, por edhe në insistimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë, për të bërë drejtësi për vrasjet në 21 janar. Sepse 21 Janari nuk është ngjarje që mund të arkivohet."
 
DO TA LARGOJME GARDEN NGA DREJTIMI POLITIK, REFORME TOTALE  BRENDA 100 DITEVE

Lidhur me misionin dhe strukturën e vetë Gardës, kreu i Ministrisë së Brendshme tha:  "Ky institucion është deformuar gjatë këtyre viteve. Jo vetëm në funksion, por edhe në përmbushje të detyrës, në efektivitetet e mbi të gjitha në politizim dhe faturë financiare për buxhetin e shtetit. Ndaj reforma në Gardën e Republikës është e domosdoshme. Së pari për ta kthyer në një institucion efiçent në përmbushjen e misionit dhe detyrave. Për të shmangur faturën buxhetore të paarsyeshme, por mbi të gjitha, për të larguar përfundimisht drejtimin politik nga Garda e Republikës dhe për ta shëndruar në një institucion modern, profesional, efektiv dhe eficent.

tahiri
(Në foto: Saimir Tahiri dhe drejtuesi aktual i Gardës, Artan Hoxha)

Sot fillon procesi i reformës më themelore në këtë institucion, ndoshta më i rendësishmi në 85 vjetët e ekzistencës së këtij institucioni. Garda e Republikës nuk do të ekzistojë më si e tillë. Brenda 100 ditëve, do ketë përfunduar procesi i reformimit dhe modernizimit, për ti dhënë jetë Drejtorisë së Ruajtjes së Personaliteteve dhe Objekteve të Rëndësisë së Veçantë, e cila nuk do të varet më nga Ministri i Brendshëm siç ishte deri më sot Garda e Republikës, por do të jetë në zinxhirin e kompetencës dhe përgjegjësisë së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
 
Njëkohësisht duke synuar që efektivët e Gardës së Republikës të jenë profesionist të vërtetë, të dedikuar dhe të varur vetëm nga forca e vullneti i ligjit. Jo militantë, jo amatorë, jo instrument politik. Kjo reformë do kursejë fonde buxhetore dhe hallka burokratike të tepërta por mbi të gjitha, do garantojë depolitizimin e këtij institucioni. Procesin e reformimit dhe modernizimit do e udhëheqë Z. Gramoz Sako, të cilin e kam komandur me përgjegjësinë për të përballur sfidat e reformimit të institucionit, së bashku me ju. Siç jam shumë i bindur se kontributi i secilit prej jush është më shumë se i vyer për suksesin e reformës,"- përfundoi Ministri.
 
Redaksia online
(arsh/sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të lejohet mjeku të punojë njëkohësisht në spital publik e privat?



×

Lajmi i fundit

Fabio Capello 'shigjeton' Spallettin: Shumë konfuzion, tjetër gjë të bësh trajnerin e Italisë! Më vjen turp

Fabio Capello 'shigjeton' Spallettin: Shumë konfuzion, tjetër gjë të bësh trajnerin e Italisë! Më vjen turp