Për kryetarin e Partisë Socialiste të Tiranës, Saimir Tahiri, protesta e PD në çadër bëhet për të mbrojtur gjyqtarët e korruptuar. 

Gjatë një takimi me të rinj të cilët do të votojnë për herë të parë në 18 qershor, Tahiri sulmoi opozitën, duke theksuar se kanë zgjedhur të marrin në mbrojtje të korruptuarit, ndërsa shtoi se mazhoranca ka zgjedhur të qëndrojë në krah të popullit.   

“Sot në Shqipëri ndodh të jesh polic dhe të marrësh 5 mijë lekë shkon në burg ndërkohë të jesh gjyqtarë të marrësh para, toka, apartamente qëndron në detyrë. Të mbash armë shkon në burg ndërsa të mbash biznes armatimi dhe të vrasësh 26 njerëz nuk të gjen gjë.

Të vjedhësh nga qytetari në autobus shkon në burg por të vjedhësh miliona euro nga një rrugë nuk dënohesh, strehohesh te çadra. Populli vuan përball dyerve të gjykatave ndërkohë gjyqtarët pasurohen nga hallet e popullit. Përball gjyqtarëve të korruptuar ne zgjedhim popullin jo gjyqtarin e korruptuar. Ata te çadra të zgjedhin gjyqtarin e korruptuar’’,
tha Tahiri, duke iu bërë thirrje gjithë të rinjve të votojnë Partinë Socialiste në mënyrë që të ndërtojmë Shqipërinë që duam.

Hajde trokasim derë më derë. Në 18 qershor ka dy rrugë o do e lëmë peng vendin ose do e bëjmë të ardhmen të gjithë bashkë. Të bëhemi bashkë . Në 18 qershor ndahen dy rrugë, ose të kemi punë për të rinjtë ose të kemi papunësi që ata mbollën deri dje. Në 18 qershor do të fitojmë të gjithë bashkë’’, shtoi ndër të tjera Tahiri.

“Në një vend ku ambasadorja e BE akuzohet si e korruptuar, Ambasadori i SHBA akuzohet se bën biznese me Sorosin. Sigurisht, më e pakta që mund të isha unë, është të jem një trafikant droge i nivelit kombëtar, dhe i nivelit rajonal madje, se niveli ndërkombëtar është shkalla ku fusin Kryeministrin”, tha ai.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com