TIRANE - Sisitemi i drejtësisë dhe më konkretisht vendimet në shkelje të ligjit të gjykatave duke lënë të lirë kriminelët, është “molla e sherit” sot mes Ministrisë së Brendshme dhe Presidencës, me replika dhe kundër replika në distancë.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, përmes një letre dërguar Presidentit Bujar Nishani, i kërkoi atij në cilësinë e kreut të KLD, të dënojë shkeljet e ligjit nga ana e togave të zeza, të cilët kanë lënë të lirë kriminelë të arrestuar nga policia për vepra të ndryshme penale. Madje bashkangjitur letrës, Tahiri denoncoi edhe 25 raste të shkeljeve të ligjit, të cilat ai i cilësoi flagrante, ndërsa i kërkoi Presidentit të merren masat ndaj këtyre gjyqtarëve.

Sipas Tahirit, këto vendime kanë ardhur si rrjedhojë e aferave korruptive në dyert e  gjyqësorit, ndërsa thekson se në këtë mënyrë, ulet besueshmëria e qytetarëve tek sistemi i drejtësisë, si dhe rritet rrezikshmëria e jetës së komunitetit.

Megjithatë, Nishani, në përgjigjen e tij përmes një komunikate për shtyp, shprehet se shqetësimet në fjalë do të ia kalojë Ministrit të Drejtësisë Nasip Naço, për të verifikuar rastet dhe për të nisur procedimin disiplinor, pavarësisht se letra e ministrit Tahiri, iu drejtua edhe Ministrit Naço. Por sipas kreut të shtetit Nishani, Ministria e Drejtësisë është institucion i vetëm i ngarkuar nga ligji për nisjen e procedimeve disiplinore. Nishani: Detyrë e ministrit Naço të verifikojë dhe ndëshkojë gjyqtarët

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Brendshme e cila në një komunikatë për shtyp, nënvizon se për këto shkelje është vënë në dijeni edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, por akoma nuk ka marrje masash nga ana e këtij institucioni.

Gjithashtu, MB i bën thirrje Presidentit, të ndërpresë atë që ky institucion e cilësoi si “lojë përcjellëse”, pasi duke vepruar në këtë mënyrë, drejtësia është kthyer në një mall që blihet e shitet. MB-Nishanit: KLD në dijeni të shkeljeve, jo më lojëra përcjellëse!

Ministri Tahiri letër Presidentit Nishani: Ja 25 vendime antiligjore të gjykatësve, ndëshkoji
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, përmes një letre të dërguar Presidentit të Republikës Bujar Nishani në cilësinë e Kreut të KLD, i ka kërkuar të marrë masa ndaj gjyqtarëve të cilët përmes vendimeve të tyre kanë lënë të lirë, persona që siç thekson ai, janë me rrezikshmëri të lartë, pavarësisht pretendimeve të Prokurorisë për burgosjen e tyre.

Në letrën e dërguar, Tahiri i shprej kreut të shtetit shqetësimin lidhur me këto vendime, ndërsa kërkon prej tij marrjen e masave ndaj këtyre gjyqtarëve. Bashkangjitur me letrën, Tahiri i ka përcjellë edhe 25 raste të lirimit të personave të akuzuar për vepra të ndryshme penale, mes të cilave, “Plagosje me dashje”, “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”, “Shfrytëzim prostitucioni”, “Armëmbajtje pa leje”, Kundërshtim me dhunë i forcave të policisë” apo edhe “Drejtimi i mjetit në gjendje të dehur”.

Për të gjitha këto vepra penale, Tahiri thekson se togat e zeza kanë marrë masa lehtësuese ndaj të akuzuarve, ndërsa ngre pyetjen, se si është e mundur që të gjitha këto vendime nuk përbëjnë shqetësim, apo të jenë marrë në shqyrtim nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

“Sot që flasim, KLD nuk ka marrë asnjë masë edhe për raste flagrante, të cilat Jua kam bërë me dije më pare. Nuk besoj ne të gjithë, por mbi ne, publiku, të ketë mundësi të kuptojë si është e mundur që KLD nuk merr masë ndaj një gjyqtari që liron në sallën e gjyqit  përdhunuesin e një minoreneje, disponuesin e një arsenali armësh, agresorin që ka plagosur me armë qytetarë dhe goditur punonjës policie. vjedhësin e përsëritur, e shumë raste të tjera të ngjashme, të cilat KLD ende nuk i ka marrë në shqyrtim.” thekson Ministri i Brendshëm

Tahiri: Këto vendime prej aferave korruptive në gjyqësor
Sipas ministrit Tahiri, faktë të tilla ulin besueshmërine e qytetarëve tek sistemi i drejtësisë, duke ngritur aludime për afera korruptive brenda gjyqësorit. Duke shtuar më tej Tahiri shprehet se kjo është streha e kriminelëve, ku pavarësisht krimeve, dhe arresitmeve nga ana e policisë, ata sërish lihen të lirë me vendimin e gjyqësorit.

Në këtë kontekst, Tahiri nënvizon se këto gjyqtarë nuk duhet të ndjehen të pandëshkueshëm, e ndërsa shton se vendime të tilla nuk duhet të mbeten më të pakontrolluara.

“Gjyqtarë të tillë nuk duhet kurrësesi të mbeten të garantuar se të tilla vendime, pas të cilave qëndron më së paku paaftësia e po kaq edhe korrupsioni kapilar në dyert e gjykatave, mbeten të fshehta, pa iu nënshtruar asnjë lloj vlerësimi.  Gjyqtarë të tillë, nuk duhet të ndjehen të pandëshkueshëm për vendime që haptazi shkelin çdo parim të së drejtës. barazinë para ligjit kapacitetin për të dhënë drejtësi penale dhe për të ndëshkuar kriminelët, por mbi të gjitha, pritshrnërinë e qytetarëve për drejtësi.” thuhet në letrën e Tahirit.
 
Tahiri: Drejtësia nuk funksionon, qytetarët në rrezik
Kjo pasi siç thekson Tahiri, vendime të tilla lehtësuese, kthehen në rrezik për komunitetin dhe jetën e qytetarëve. Më konkretisht, Ministri i Brendshëm, shprehet se nga 1796 persona të arrestuar për drejtim të mjetit në gjendje të dehur, vetëm 1% e tyre janë lënë në qeli nga gjykatat, çka sipas Tahirit, është edhe arsyeja kryesore e aksidenteve me pasojë vdekjen. Në këtë mënyrë, sipas ministrit, puna e policisë, nuk mund të jetë kurrë e plotë, nëse siç shprehet ai, sistemi i drejtësisë nuk funksionon.

“Kërcënim më të madh për sigurinë sesa kriminelë që arrestohen nga policia e pastaj lihen të lirë nga gjykata, nuk ka. Për t'Ju marrë një shembull, në 9 muajt e parë të këtij viti, Policia ka arrestuar 1796 shtetas për drejtim mjeti në gjendje të dehur, por thuajse vetëm 1%  e tyre është mbajtur në burg sipas ligjit nga gjykata. Është pikërisht kjo arsyeja kryesore përse vijojnë aksidentet me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.  Ndaj. duke konsideruar se puna e policisë nuk mund të jetë kurrë e plotë në rast se j gjithë  sistemi i drejtësisë penale nuk funksionon. por mbi të gjitha. duke konsideruar që edhe Ju jeni po aq i interesuar për të iniciuar verifikimin dhe ndëshkimin për gjyqtarët që tregohen të butë  me krimin në kuniz të ligjit dhe qytetarëve.” shton më tej Tahiri

Tahiri-Nishanit: Masa ndaj gjyqtarëve për këto shkelje flagrante!
Në fund të letrës, duke theksuar se kjo nuk është hera e parë që një kërkesë e tillë i drejtohet Presidentit Nishani, Ministri Tahiri shpreh bindjen në marrjen e masave të kreut të shtetit, duke shtuar që raste të tilla, që ai i etiketon flagrante, të mos tolerohen më “për çdo shkelës ligji e mbi të gjitha asnjë gjyqtar të pandëshkueshëm”
 
“Me shpresën se bashkë me rastet që Ju kam nisur më parë, KLD dhe Ju personalisht do të angazhoheni për verifikimin dhe shqyrtimin e rasteve flagrante bashkëlidhur, duke synuar marrjen e masave drastike për të mos lejuar asnjë shteg për çdo shkelës ligji e mbi të gjitha asnjë gjyqtar të pandëshkueshëm.” përfundon letra e Ministrit të Brendshëm.
 
Reforma në drejtësi është një nga nismat dhe premtimet më të rëndësishme të mazhorancës aktuale, si dhe një nga shqetësimet kryesore të ndërkombëtarëve, lidhur me korrpusionin në gjyqësor, e shfaqur kjo edhe në progres-raportin që u publikua në tetor të këtij viti.  

PDF - Rastet e vendimeve të gjykatave që kanë liruar kriminelët


letra nishanit
letra nishanit


Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)