Ky fakt është konfirmuar nga Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri në një status në rrjetin social Facebook. Ka shërbyer ky rast që ministri të paralajmërojë gjithashtu ndryshime në aktet dhe procedurat e efektivëve të policisë në rastet e tubimeve.
“Pavarësisht se protesta e disa qytetarëve në Kukës ishte e paligjshme dhe e dhunshme, punonjësi i Policisë së Shtetit është pezulluar deri në hetimin e plotë të ligjshmërisë së veprimeve dhe zbatimit të procedurave të parashikuara. Pjesëmarrja me armë në një tubim, është e paligjshme. Ashtu siç është tërësisht e papranueshme sjellja e punonjësve të policisë që tejkalojnë ligjin për t’i bërë ballë paligjshmërisë së cilitdo. Detyrimi i punonjësve të policisë për të respektuar ligjin, është më i madh se liria që çdo qytetar mund t’i japë vetes për të shkelur ligjin. Hetimi disiplinor i Policisë së Shtetit, Shërbimi i Ankesave dhe Çështjeve të Brendshme dhe Drejtoria e Inspektimit pranë Ministrit të Brendshëm, do hetojnë plotësisht këtë rast, si dhe do rishikohen aktet dhe procedurat për zbatim në rastet e tubimeve dhe masave policore”,- shkruan Tahiri në statusin e tij.
Në përfundim, ministri shkruan: “Ashtu siç besoj, hetimet e Prokurorisë do nxjerrin përgjegjësitë përkatëse, pa kursyer kërkënd”.
Mesditën e së hënës një grup qytetarësh protestuan në Kukës duke tentuar të bllokojnë Rrugën e Kombit, për t’i kërkuar qeverisë faljen e kamatëvonesave për energjinë elektrike të pashlyer ndër vite. Ata nuk kishin leje për zhvillimin e kësaj proteste çka bëri që policia të ndërhyjë duke shpërndarë me dhunë qytetarët.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kukësit, nga analiza e kryer për veprimet në zbatim të procedurave standarde për parandalimin e bllokimit të rrugës nga ana e punonjësve të policisë, ka rezultuar se nuk janë përmbushur me korrektesë procedurat standarde nga punonjës të veçantë të policisë. Ndërkaq lidhur me ngjarjen, policia e Kukësit tha se kishte arrestuar në flagrancë nderim Lushin, të akuzuar si nxitës i tubimit të paligjshëm dhe i veprimeve të paligjshme të personave që merrnin pjesë në protestë.
Njoftimi zyrtar i Policise se Kukesit
Më datë 04.05.2015 rreth ores 11:00 si rezultat i thirrjes dhe nxitjes së kryer nga shtetasi Nderim Lushi është organizuar një tubim i paligjshëm i cili ka filluar në sheshin para prefekturës në Kukës dhe pas rreth 45 minutash është zhvendosur drejt vendit të quajtur “Ura e Drinit të Zi “ dhe konkretisht me objekt bllokimin e aksit hyrës në qytetin e Kukësit.
Shtetasi Nderim Lushi ka depozituar një kërkesë pranë Komisariatit të Policisë Kukës, ne datë 01.05.2015 nëpërmjet së cilës ka kërkuar që të lejohej një tubim me objekt bllokimin e Rrugës së Kombit, kërkesë kjo që në themel e paligjshme, e cila pas shqyrtimit të saj nisur nga paligjshmëria i është kthyer përgjigje negative, duke e njohur të interesuarin dhe duke e nënshkruar se kishte marrë dijeni.
Lidhur me tubimin e paligjshëm të organizuar nga shtetasi Nderim Lushi, nga Drejtoria e Policisë së Qarkut janë analizuar veprimet e kundraligjshme të shtetasit Nderim Lushi i cili është nxitës dhe organizator i këtij tubimi të paligjshem nga ku ka rezultuar se ai ishte tërësisht në shkelje të nenenve 223, 262 dhe 293 te Kodit Penal dhe për këto arsye ndaj tij është marrë masa e arrestit në flagrancë. Njëkohësisht po punohet për sqarimin e rrethanave të hetimit dhe identifikimin e personave të tjerë të cilët kanë kryer veprimeve të dhunshme ndaj punonjësve të policisë.
Gjithashtu nga analiza e bërë për veprimet në zbatim të procedurave standarte për parandalimin e bllokimit të rrugës nga ana e punonjësve të policisë ( vepër penale kjo e parashikuar nga neneni 293 i Kodit Penal) ka rezultuar se nuk janë përmbushur me korrektesë procedurat standarte nga punonjës të veçantë të policisë.
Për këtë Drejtori i Policisë së Qarkut ka vendosur pezullimin nga detyra të Shefit të Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë së Kukësit Komisar Albion Xhitoni, si dhe të ndihmëspecialistit po në këtë seksion Inspektor Shkelzen Neza.
Për hetimin e plotë dhe nxjerrjen e pergjegjësive, Drejtoria e Standarteve në Drejtorinë e Policisë së Shtetit ka filluar hetimin disiplinor për këtë rast, vendimet si rezultat i hetimit mediave do t’ju behen të ditura nga Drejtoria e Standarteve në përfundim të hetimeve.
Drejtoria e Policisë së Qarkut Kukës është e motivuar dhe shpreh garancinë, për zbatimin e ligjit ruajtjen e rendit e qetësisë publike , si dhe vënien para përgjegjësisë ligjore këdo që tenton të shkelë ligjin.