Nisur nga ngjarjet e Francës, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka kërkuar bashkëpunimin e gjithë institucioneve por edhe qytetarëve për të luftuar dhunën, kriminalitetin dhe aktet terroriste. Në një konferencë për mediat, ministri Tahiri tha se duhet luftuar bashkarisht e keqja që tashmen dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.
 
“Lufta kundër paligjshmërisë, kriminalitetit, krimit të organizuar dhe terrorizmit, nuk është nga më të lehtat. Por nuk është e pamundur në qoftë se bashkojmë dijet dhe forcat tona, për të ruajtur paqen, sigurinë dhe vlerat tona më të mira, që sot kërcënohen nga dhuna dhe ekstremizmi i botës së krimit.Ne nuk pranojmë asnjë kompromis me asnjë lloj dhunë, asnjë shfaqje të kriminalitetit, asnjë formë pandëshkueshmërie. Por besojmë shumë fort se aftësia jonë, nga njëra anë e koordinimit dhe bashkëpunimit fare të ngushtë ndërmjet Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatave, së bashku me kontributin e të gjitha institucioneve të tjera ligj zbatuese, dhe nga ana tjetër e bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet institucioneve dhe çdo qytetari të rregullt e të ndershëm në këtë vend, është elementi themelor për të ndërtuar një Shqipëri të sigurtë, ku dhuna, paligjshmëria dhe krimi parandalohen e luftohen nga ne, të gjithë bashkë pa përjashtim”, deklaroi ministri Tahiri. 

Tahiri: Policia me regjim të përforcuar, politika mos ngatërohet me punën e policisë 
Sa i përket sigurisë në vend, ministri tha këto ditë, Policia e Shtetit po zbaton një regjim të përforcuar masash sigurie që synojnë parandalimin dhe luftën kundër dhunës dhe kriminalitetit. Por ai i bëri thirrje politikës të mos ngatërrohet në punët e policisë pasi sipas tij vetëm se i jep mbrojtje.

"Ata që shkelin ligjin, që kërcënojnë sigurinë e qytetarëve dhe sipërmarrësve, nuk dhunojnë e kërcënojnë vetëm individin, por shoqërinë, institucionet dhe vlerat tona të përbashkëta në tërësi. Dhe kush bën gabimin ta shohë krimin me preferencë apo ndasi, me të tyret apo tanët, të këtij apo atij, apo akoma më keq kush fut politikën në mes të betejës sonë të përbashkët, të institucioneve dhe qytetarëve, me krimin, nuk ka bërë gjë tjetër vetëm i ka dhënë mbrojtje, frymëmarrje e nxitje botës së dhunës e krimit, që ndër ne nuk mund e nuk duhet të gjejë asnjë çarje e as dallim.Këto ditë, Policia e Shtetit po zbaton një regjim të përforcuar masash sigurie që synojnë parandalimin dhe luftën kundër dhunës dhe kriminalitetit.I gjithë efektivi i forcave speciale, të gjitha repartet, janë në gatishmëri të zgjatur, pa afat, me prezencë të shtuar në mjedise publike dhe akse rrugore, kontrolle të personave, mjediseve dhe mjeteve që sipas të dhënave paraprake apo analizës së riskut, përbëjnë potencial për kërcënim ndaj sigurisë.  Eshtë përforcuar kontrolli në pikat e kalimit kufitar dhe po kështu i të gjitha shërbimeve policore. Janë organizuar dhe janë tashmë operative shërbime civile, të hapura dhe të fshehta, në zona urbane ose jo, me kujdes të veçantë mjediset publike, arsimore dhe social kulturore. Ndaj dua të kërkoj mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e çdo qytetari, që mund të kontribuojë për sigurinë e përbashkët duke mos neglizhuar asgjë, duke mos mbyllur sytë para kërcënimit të tjetrit, por duke shkëmbyer informacion menjëherë më policinë për çdo situatë që mund të përbëjë shkak për të marrë masa të menjëhershme për parandalimin dhe luftën kundër krimit", deklaroi ministri. 


Tahiri: Dënime maksimale për çdo vepër penale
Ai gjithashtu theksoi se masat e reja të policisë do të luftojnë dhe korrupsionin, që sipas tij bëhet mburoja më e mirë e tij para sistemit të drejtësisë. Tahiri tha se krimi riciklohet nga dënimet e vogla. Sipas tij do të kërkohen dënime maksimale për çdo vepër penale, veçanërisht ato që kërcënojnë më shumë shoqërinë

"Ajo që kemi kuptuar është se krimi riciklohet nga dënimet e vogla, prej të cilave përfitojnë ata që kërcënojnë shoqërinë nga dhuna dhe krimi. Ndaj oficerët e policisë që merren me hetimin e çështjeve, oficerët e policisë gjyqësore, do të ndjekin me intensitet deri në trajtimin në gjykatë të të gjitha çështjeve, duke besuar se kështu përmbushet më së miri koordinimi dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve për të vënë para ligjit ata që kërcënojnë sigurinë tonë të përbashkët.
Do kërkojmë dënime maksimale për çdo vepër penale, veçanërisht ato që kërcënojnë më shumë shoqërinë, si armëmbajtja pa leje apo të tjera të ngjashme.
Ne jemi të vendosur të mos lejojmë që krimi të jetë përsëritës, për shkak të dështimeve të sistemit të drejtësisë. Lufta jonë me dhunën, paligjshmërinë, krimin dhe ekstremizmin është objektiv madhor për të gatrantuar paqe dhe siguri. Ndaj kërkoj dhe një herë bashkëpunimin e qytetarëve në këtë betejë të përbashkët. Çdo informacion i vogël që shkëmbeni me policinë, është një investim i madh për sigurinë e përbashkët", theksoi ministri Tahiri. 
 
 
 
 

Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)