TIRANË – Fotografi të Ministrit Flamur Moka, duke pirë kafe me Vlash Gjonin, shoferin e Arben Frrokut, të dyshuarit kryesor të Policisë për vrasjen e komisar Dritan Lamajt janë shpërndarë sot në Fb nga deputeti socialist, Saimir Tahiri.

Tahiri ka komentuar fotografitë në profilin e tij në Fb: “Bashkë me ta, dhe Arben Ristani, medemek Zv.ministër. Ndërkohë që Vlashi është dhe i afërm i Arben Frrokut. Takimi është zhvilluar në kafen në pronësi të vetë Vlashit, bar “Ardi”, rruga. “Tre dëshmorët”.

Pas fotos së gostisë me çifteli të Kuliçit dhe drejtuesve të lartë të kupolës, sëbashku me Arben Frrokun, këto foto i shtohen dyshimit publik se tradhtia ndaj komisar Dritan Lamajt ka qënë e organizuar nga maja e piramidës së kupolës së policisë.

Ministri ka detyrimin publik të dalë e të japë llogari:
1. A është diskutuar për Arben Frrokun në atë tavolinë?
2. A kompromentohen hetimet për vrasjen e Dritan Lamajt nga këto takime?
3. Cila është lidhja e Mul Mokes dhe Ristanit me shoferin dhe kushëririn e Arben Frrokut?

Dhe në fund kam një koment: Sigurisht, kjo foto nuk i thotë të gjitha. Sigurisht, as foto e gostisë me çifteli mbase nuk i thotë të gjitha. Por e sigurtë është që këto foto shtojnë më shumë dyshimin publik për bashkëpunimin e policisë me krimin, pa kursyer as Ministrin Nul Moka.

Siç është e sigurtë se një Ministër që shkulet nga zyra për të takuar shoferin e të kërkuarit kryesor për vrasjen e një komisari dhe nuk shkulet nga zyra të takoje familjarët e vet komisarit ose operatorin e rrahur nga Erzen Breçani ose qytetarët e nxjerrë jashtë shtëpive prej leckash me dhunë e plumba nga policia, le te kuptosh se nuk është aty si Ministër për të bërë detyrën ndaj qytetarëve, por misionin ndaj partisë pushtet dhe përfaqsuesve të krimit", - përfundon deputeti socialist Tahiri.

Redaksia online
(ar.shqiptarja.com)