Saimir Tahiri është bërë shënjestra e PD-së në opozitën e saj ndaj mazhorancës; një zgjedhje kjo, që nuk rezulton aq efikase në publik. Ministri i Brendshëm ka element kryesisht me shfaqjen e tij të tepruar në publik, me të cilat opozita mund të kapet, por goditjet që ajo po i jep Tahirit më shumë e kanë forcuar imazhin e tij në publik. Sondazhet e publikuara së fundmi tregojnë se Tahiri, policia dhe gjithë struktura e Ministrisë së Brendshme është më e vlerësuara për lëvizjet dhe masat në disa raste drastike.

“Fundi i Marrëzisë”, operacioni që aq shumë u anatemua nga opozita, në të vërtetë në publik mori miratim të plotë, ndërsa opozita e kritikon Tahirin për turrje drejt veprimeve të jashtëligjshmë, ndërkohë që publiku është i pakënaqur me Tahirin se përse nuk e vazhdoi edhe më thellë këtë aksion. Pjesa dërrmuese e popullsisë pret realizimin e premtimit për zhdukjen tërësore të lojrave të fatit, basteve, kazinove dhe lotove që shkaktojnë aq shumë probleme sociale në këtë vend. Ndërsa evazioni fiskal u vlerësua në 110 milionë euro, ato që në të vërtetë shkaktojnë këto veprimtari, janë shumë të kushtueshme për familjet.

Janë këto familje, që shpresojnë që Tahiri ta vazhdojë më thellë aksionin kundër lojrave të fatit. Gjobat! Shumë pak personave u erdhi keq që policia e shkriu fare sektorin e qarkullimit rrugor në Tiranë, sepse pjesa dërrmuese e tyre ishin kthyer në taksidarë dhe shkaktarë të rrëmujës në trafikun e kryeqytetit. Por edhe gjobat në rrugë, nuk janë aq shqetësuese sa thuhet dhe propogandohet, sepse ata që ecin në rrugë në këmbë, janë më shumë se ata që ecin me automjete dhe në mënyrë të jashtëligjshme. Shumica në këtë vend, e zbaton ligjin por janë ata, të lidhurit me politikën, policinë e krimin që bëjnë ligjin, dhe ndotin gjithcka.

Nëse opozita e sulmon Tahirin për këto gjëra, ka zgjedhur një rrugë të gabuar. Në të vërtetë diku tjetër duhet të ishte shënjestra e opozitës. Janë disa ministri e dikastere tërësisht në hije, aty ku edhe problemet po agravohen në heshtje. Në kabinetin e kryeministrit Rama, janë disa ministra që i ngjajnë shumë ish ministrit Ruli. Askush nuk i sulmon ata, as nuk i kritikon ashtu siç po bëhet me policinë dhe ministrinë e Brendshme. Përse ndodh kjo? Tahiri, sigurisht me bekimin e Ramës prishi shumë balanca, shumë rrjete, preku shumë interesa që lidhen me lojrat e fatit apo pushtetin e vendosur nga bajraktarë të vegjël në polici që e kishin ndarë vendin me sinore. Për këtë arsye, ai ka bërë edhe më shumë armiq vecanërisht në opozitë, aty ku grupohen të gjithë këta persona në një përpjekje për të siguruar imunitet politik.

Në fushat e tjera, në ekonomi, shëndetësi apo edhe sektorë të tjerë, sulmet dhe akuzat e opozitës janë minimaliste. Përse? A mos vallë ata po punojnë më mirë? Sondazhet tregojnë se në lidhje me ekonominë dhe shëndetësinë, njerëzit janë më pesimistë se më parë dhe vlerësimi është më i ulët. Ndërkohë që kanë një imazh më të keq në publik, këto dikastere të qeverisë së Ramës kanë një imunitet politik të rrallë në sytë e opozitës. Vetëm Ridvan Bode ka bërë një oponencë me shifra dhe fakte për gjithë institucionet në vartësi të ministrisë së Financave, kryesisht për të ardhurat. Por ende s’kemi parë e dëgjuar asnjë akuzë apo oponencë për ministritë që kujdesen për koncesionet minerare, ministrinë e ekonomisë, energjitikës apo transporteve…

Por nga ana tjetër, ende nuk është parë ndonjë lëvizje energjike për të vënë drejtësinë e premtuar në fushatën elektorale për cështjen e pasurive natyrore, kromit, naftës, koncesionet e HEC-eve. Në shumë raste ka vetëm deklarime, apo njoftime për kontrolle, por vetëm kaq. Koncesionet e mëdha, ato që deputeti Erjon Braçe ende vijon t’i përmendë njësoj si dikur, në opozitë vijojnë punën dhe deklarojnë se janë duke rinegociuar në interesin e tyre marrëveshjet me shtetin shqiptar.

Sigurisht këta ata e bëjnë për të qetësuar aksionerët, por kjo tregon edhe një fakt se ministrat e llojit Ruli në qeveri, nuk po i prishin punën askujt, as ish ministrave dhe as njerëzve me pushtet ekonomik që përfituan nga qeveria e vjetër. Nëse kjo situatë vërtetë absurde do të vazhdojë edhe për një vit, në të njëjtën mënyrë sesi po vijon aktualisht, me shumë gjasa oponencën e vërtetë kësaj qeverie do t’ja bëjnë zgjedhësit në betejën më të afërt elektorale për pushtetin vendor.
 
 Shkrimi u publikua sot (25.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)