TIRANE- Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaroi se ngjarja ku humbi jetën politikani Sokol Olldashi është veçse një aksident.

Sipas Tahirit ka një hetim të prokurorisë për aksidentin e zotit Olldashi. “Ka një hetim që nuk ka përfunduar.

Veprimet që duheshin bërë nga policia dhe prokurori u bënë në mënyrë transparente dhe unë besoj se ky hetim duhet të përfundojë shpejt e për tu zbardhur më pas edhe për publikun për të shuar tymnajën e ngritur në publik”,-theksoi Tahiri duke mohuar të ketë ndonjë opsion tjetër përveç aksidentit automobilistik.

Deklarata është bërë në emisionin “Top Story”, ndërkohë që lidhur me qartësimin e plot të aksidentit dhe vendodhjes së deputetit të ndjerë, prokuroria e Tiranës aktualisht është duke verifikuar me imtësi tabulatet telefonike.

Veç kësaj janë marrë në pyetje thuajse të gjithë personat që ditën e aksidentit të rëndë kanë komunikuar me deputetin e PD Sokol Olldashi.

Fillimisht u përfol se bëhej fjalë për dy viktima dhe më pas rezultoi se personi i vetëm që kishte humbur jetën në aksidentin tragjik ishte vetëm deputeti i Partisë Demokratike Sokol Olldashi.

Lidhur me këtë ngjarje prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje shoferin e Sokol Olldashit, si dhe rreth 7 persona banorë të zonës, të cilët kanë qënë të pranishëm në momentet e para të rrëzimit të makinës në rrëpirë.

Shkrimi u publikua sot (17.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)