TIRANE- Drejtësia shqiptare po heton rastet e shitjes dhe blerjes së diplomave universitare. Në një intervistë për “Radio 24”, Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, thotë se janë rreth dhjetë raste të studentëve italiane që diplomohen në universitetet private shqiptare pa ndjekur leksionet. Sipas Ministrit Tahiri, këta studentë po hetohen për korrupsion, shpërdorim detyre e krime të tjera. “Janë rreth 10 studentë italianë të hetuar në Tiranë, pasi janë diplomuar nga universitetet private shqiptare, pa ndjekur asnjë leksion. Renzo Bossi, djali i kreut të Lega Nord-it në Itali, Umberto Bossi, është një prej 10 të akuzuarve për korrupsion dhe abuzim në Shqipëri.  Nuk duam turizmin e diplomave të blera. Edhe Renzo Bossi është një prej rasteve”, tha për “Radio 24”, Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri.

Qeveria shqiptare ka nisur një operacion për verifikimin e cilësisë së universiteteve private të hapura në vend.
Tahiri ka deklaruar se procesin e vlerësimit ia kemi besuar një shoqërie ndërkombëtare vlerësimi, që ka për detyrë verifikimin e standardeve të cilësisë së universiteteve. Studentët fantazmë janë një dëm për të gjithëve ne. Janë rreth dhjetë studentë italiane të cilat ne jemi duke i hetuar, të cilët janë diplomuar në shkencat shoqërore pa ardhur asnjë ditë”, tha Ministri Tahiri.

I pyetur për mundësinë e revokimit të diplomës, Ministri Tahiri tha se “ky do të jetë një vendim administrativ, dhe ne po hetojmë edhe për ata persona të cilët shkojnë jashtë shtetit për të gjetur persona që duan këtë mënyrë diplomimi dhe janë të gatshëm të paguajnë”. Por ministri i Brendshëm paralajmëron edhe studentët shqiptarë që blejnë diploma jashtë vendit. Ky do të jetë një vendim administrativ, dhe ne jemi duke hetuar edhe për ata persona që shkojnë jashtë shtetit dhe paguajnë për të marrë diplomat.

Do të hetohet dhe procedohet çdo individ që mban një diplomë të blerë, qoftë brënda apo jashtë vendit. Kjo pritet t’i japë fund biznesit të shit-blerjeve të diplomave universitare për të cilën janë përfolur kryesisht universitetet private por që parregullsi dhe manipulime janë gjendur edhe në ato publike, sidomos në shit-blerjen e notave.  

Trafiku njerëzor, s’mund të luftohet pa shoqërinë
Lufta kundër trafikut të qenieve njerëzore nuk mund të jetë vetëm një qasje policore, përkundrazi duhet të jetë mbi të gjitha, qasje shoqërore e përbashkët me të gjitha mekanizmat shtetërorë që merren me këtë çështje.” Kështu deklaroi Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, duke folur në konferencën me temë “Të ndryshëm dhe të barabartë”, e organizuar nga Ministria e Brendshme dhe Fakulteti i Shkencave Sociale.

Tahiri kërkoi ndihmën e shoqërisë shqiptare në luftën kundër trafikut të qënieve njerëzore, ndërsa pranoi se rezultatet në luftën ndaj këtij fenomeni nuk kanë qenë ato që duhej të ishin. Sipas ministrit Tahiri, trafiku i qënieve njerëzore është problem dhe plagë e shoqërisë, që ka penalizuar vendin tonë në këto dy dekada tranzicion, prandaj duhet një bashkëpunimin për të luftuar këtë trafik. Trafiku i qënieve njerëzore është i pandashëm nga dhuna.
Ai deklaroi se në  këto dy muaj kemi arritur të stabilizojmë dhe ta ngremë këtë çështje në nivelin e alarmit publik.

Kemi ndërtuar rrjetin e shoqërisë civile që monitoron detyrën tonë në kuadër të kësaj lufte.  Kemi diskutuar dhe mundësinë që grupe studentësh mund të bashkohen në praktikat që ka policia e shtetit për identifikimin e viktimave të trafikut në pikat kufitare.”
Tahiri shprehu besimin se Shqipëria këtë vit do të dalë nga lista e shteteve nën vëzhgim të raportit të Departamentit Amerikan por nënvizoi nevojën që kjo luftë të jetë e qëndrueshme. Për të realizuar këtë ai kërkoi ndihmën e studentëve.
 
Shkrimi u publikua sot (03.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)