TAJLANDË - Një polic ka mbetur i vrarë dhe dhjetëra persona të tjerë kanë mbetur të plagosur në Bankok të Tajlandës, si pasojë e përleshjeve mes policisë dhe protestuesve.

Ka qenë një operacion i policisë duke dashur të marrin sërish në dorë situatën dhe gjatë këtij operacioni janë arrestur dhjetëra protestues anti-qeveritarë.

Që prej 3 muajsh, protestuesit kanë dalë në shesh për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë aktuale. Qindra persona janë arrestuar pranë Ministrisë së Energjitikës, pasi nuk kanë respektuar gjendjen e emergjencës të vendosur në Bankok.

Prej disa muajsh ata akuzojnë kryeministren Yingluck Shinawatra se qëndron nën hijen e vëllait të saj Thaksin Shinawatra, i cili ka kërkuar azil politik jashtë vendit, për të evituar burgosjen, pasi akuzohet për korrupsion.

Protestat kundër qeverisë në Tajlandë, nisën më 24 nëntor, ku humbën jetën të paktën 8 persona. Motivi kryesor i protestave, ishte ligji për amnistinë, ligj i propozuar nga qeveria por që nuk u aprovua nga senati. Ky ligj do i jepte mundësinë ish kryeministrit Thaksin Shinawatra, që të kthehej nga azili politik, pa e shlyer dënimin e tij, të marrë në vitin 2008.

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)