Ernest Muçi së bashku me Anis Mehmetin janë dy futbollistët më në formë të Kombëtares dhe tifozët në kanalet e komunikimit kërkojnë me ngulm që sulmuesit e krahut të jenë pjesë e listës së Sylvinhos për fazën play-off të Kupës së Botës 2026.
Numrat nuk gënjejnë dhe faktet janë kokëforta, pasi Muçi me fanellën e Trabzonsporit këtë sezon ka shënuar 13 gola dhe ka dhënë tetë asistime në 26 ndeshjet e kampionatit dhe Kupës së Turqisë. I 'harruar' në grumbullimet e fundit nga Sylvinho, trajneri i Kombëtares duket se po bën 'autokritikë' dhe e ka një ftesë për sulmuesin.
Të martën trajneri udhëtoi nga Tirana për në Stamboll ku ndoqi nga pranë sfidën mes Basaksehirit dhe Trabzonsporit, të fituar 2-4 nga miqtë edhe pas dy pasimeve finale të Muçit.
Akujt duket se 'janë shkrirë', gjithmonë nëse mes tyre mund të ketë pasur ndonjëherë hatërmbetje; madje dyshja kanë diskutuar për fazën play-off dhe Muçi duket se e ka një vend në ekip për vetë paraqitjet e shkëlqyera që ka bërë me ekipin e tij.
Prej 15 nëntorit 2021 kur debutoi me ekipin e parë, Muçi ka luajtur 16 paraqitje dhe ka shënuar tre gola me Kombëtaren, duke mos qenë zgjedhje e parë dhe duke marrë minuta 'me pikatore'.
Dëmtimi i Brojës dhe mungesa e tij prej disa javësh me Burnleyn ka bërë që Sylvinho me stafin e tij të mendojnë plane të tjera përpara ndeshjes play-off të Kupës së Botës kundër Polonisë, e cila luhet në Varshavë më 26 mars në orën 20:45. Veç Muçit, Sylvinho ndoqi në stadium edhe Kristjan Asllanin dhe Qazim Laçin në ndeshjen Besiktas - Rizespor.
Për 'ëndrrën amerikane' duhen edhe golat, andaj forma e Muçit, Uzunit, Dakut, Mehmetit e Manajt janë deçizive për të ndëshkuar polakët dhe për të marrë një biletë për në finalen play-off, e cila do jetë kundër fituesit të çiftit Ukrainë - Suedi.
Komente









