TIRANË - Ligji i planifikimit të territorit do të rishikohet nën asistencën e komunitetit Evropian. Puna do të nisë së pari me planin e bregdetit Jon, që do të fillojë të aplikohet si projekt pilot verën e ardhshme. Deklarata është bërë nga ministrja e zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, gjatë takimit kombëtar që ka zhvilluar me shoqërinë civile.

Duke folur në këtë takim, ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, ka deklaruar se, për këtë qëllim është ngritur një grup i posaçëm. “Një grup i posaçëm pune do të marrë të gjitha sugjerimet dhe komentet për ti përfshirë në ligj, që ai të bëhet më i thjeshtë dhe më i zbatueshëm”, ka deklaruar gjatë fjalës së saj, ministrja Gjermeni.

Sipas saj, “interesi është legjitim dhe të gjithë e kemi marrë përgjegjësi për të rishikuar ligjin dhe për të bërë një ligj tamam për kontrollin e territorit”. “Besojmë që në fillim të vitit 2014 do të keni një draft ligji që ta paraqesim në Kuvend”, tha ministrja Eglantina Gjermeni, në fund të fjalës së saj.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile, kanë dhënë edhe sugjerimet konkrete ku duhet ndërhyrë dhe çfarë duhet të ndryshojë në ligjin aktual për planifikimin e territorit.
 
Në përfundim të këtij takimi ministrja e Gjermeni është pyetur edhe nëse do të ketë kompensime për banorët e pallateve që vendosen të shemben, por ajo ka preferuar të mos përgjigjet, pasi sipas saj kjo nuk ishte çështja për të cilën janë mbledhur.

Ligji për planifikimin e territorit është një ligj relativisht i ri, i miratuar në vitin 2009, por që ekspertët mendojnë se ka shumë vakuume, ndaj është e domosdoshme ndërhyrja për përmirësimin e tij.

Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)