Kur kanë mbetur edhe dy ditë nga takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Bruksel, i pari pas më shumë se 4 muajsh dhe tensioneve në veri, perëndimi kërkon përparim konkret dhe seriozitet nga Prishtina dhe Beogradi zyrtar.
Para takimit që do të mbahet më 14 shtator, Kurti ka biseduar me emisarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, teksa ka pasur një takim edhe me Kryesuesin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit gjerman, Michael Roth.
Është e qartë se Uashingtoni dhe Berlini kërkojnë më shumë angazhim dhe seriozitet të palëve.
Pas takimi me Kurtin Michael Roth në rrjetin e tij social X, ka thënë se Kurti duhet ta pranojë që e ardhmja është multietnike dhe se duhet të ketë përparim mes Kosovës dhe Serbisë
Përkushtim në dialog ka kërkuar edhe Gjermania. Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë më 11 shtator se rundi i 14 shtatorit zhvillohet në një “moment kritik”.
“Më në fund kemi nevojë për një përparim në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Faleminderit kryeministër Albin Kurti për angazhimin e qartë ndaj demokracisë, shtetit të së drejtës dhe vlerave europiane. E ardhmja e kufijve të sigurt është multietnike. Duhet ta pranosh edhe këtë”, thotë Michael Roth, deputet gjerman.
Përveç me takimin me gjermanin Roth, Kurti ka pasur një bisedë telefonike edhe me emisarin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Kisha një telefonatë me Escobar. Diskutuan rëndësinë e sigurimit të zbatimit të plotë dhe të shpejtë të Marrëveshjes Themelore dhe Aneksit të saj. Konfirmova gatishmërinë time për t'u angazhuar në negociata aktive gjatë takimit të dialogut në Bruksel dhe e falënderova për mbështetjen e ShBA-së”
Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se takimet e diplomatëve evropianë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, do të nisin të enjten në orën 09:00. Takimi i së enjtes në Bruksel konsiderohet si jetik për stabilitetin dhe rivendosjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Ky takim vjen pas muajsh tensione në Veri të Kosovës, që u konsideruan të rrezikshme për paqen dhe detyruan komunitetin ndërkombëtar që të ndërmerrte sanksione, sidomos ndaj Prishtinës zyrtare.