/ATSH/.- Deputetët e Kosovës do të takohen sot me homologët e tyre në Serbi, ku do të diskutojnë rreth mundësive që ligjvënësit e të dy parlamenteve do të mund të kontribuonin në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Ky është takimi i dytë i rradhës pas atij në Prishtinë, raporton sot RTK në korrespondencën nga Beogradi.
Deputeti Bardhyl Meta, thotë se mbajtja e këtij takimi në nivel të barabartë tregon për normalizim të marrëdhënieve midis dy vendeve.
"Jemi pritur si delegacion në nivel të Republikës së Kosovës me përcjellje shtetërore nga kufiri deri në Beograd dhe se kjo tregon pak a shumë një ndryshim drejt qasjes dhe pranimit të relitetit të ri kosovar, që edhe kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve" ka shtuar Meta.
Dje nga Prishtina për në Beograd kanë udhëtuar 14 deputetë të Kuvendit të Kosovës për të marrë pjesë në këtë debat. Deputetët e Kuvendit të Kosovës, janë përfaqësues të të gjitha subjekteve politike parlamentare. Ata do të përballen gjithashtu me deputetë nga të gjitha grupet parlamentare në Kuvendin e Serbisë.
Konferenca do të ndahet në dy pjesë - në të parën do të do diskutohet për rolin e kuvendeve të Kosovës dhe Serbisë në zbatimin e marrëveshjes nga të dyja palët. Ndërsa, pjesa e dytë do t'i kushtohet rolit të kuvendit për një kontroll më efikas të qeverisë.
Takimi i deputetëve të dy vendeve në Beograd organizohet nga OJQ CIG e mbështetur nga Departamenti Zviceran për Politikë të Jashtme.