Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, në fjalën e saj gjatë takimit të dy Kuvendeve në Prishtinë ditën e sotme (20 Dhjetor), shprehu mbështetjen e hapur për Kosovën në anëtarësimin në NATO, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Ajo theksoi se ‘jo rrallë Ballkani ka qenë truall i ankesës dhe ankthit’.
“Ne shqiptarët nuk bëjmë dallim. Por askush nuk mund ta mohojë se në këtë moment historik ku kemi mbërritur, si kurrë ndonjëherë më parë, shqiptarët kanë dëshmuar vendosmëri të palëkundur në rrugëtimin e tyre për shndërrimin e shoqërisë së vet në një shoqëri moderne, evropiane në thelb e sjellje, euroatlantike në orientim, dhe të drejtë në çdo aspekt”, tha Spiropali.
Ajo ftoi shtetarët kosovarë që të uleshin dhe të diskutonin se ‘çfarë duhet bërë më mirë nesër në axhendën e përbashkët me frymëzim evropian’.
“Të bashkërendojmë plane e strategji të mirëkuptuara në rrugëtimin e pandalshëm drejt Evropës. Realizimi i objektivit tonë strategjik, anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, integrimi euro-atlantik i Kosovës dhe njohja përfundimtare e saj si realitet i pakthyeshëm gjeopolitik, rritja e rolit dhe peshës së faktorit shqiptar në rajon si një mekanizëm i pazëvendësueshëm stabiliteti, për paqen dhe sigurinë, janë detyrat tona të shenjta, janë themeli i të ardhmes tonë”, tha kryeparlamentarja në fjalën e saj.
Spiropali theksoi se marrëveshja mes dy Kuvendeve, e nënshkruar në shtator 2022, ka institucionalizuar bashkëpunimin tonë dhe u ka dhënë mbështetje e shtytje bashkëpunimit mes qeverive e institucioneve dhe afrimit të njerëzve tanë në të dy anët e Morinës.
“Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë. Shqipëria është prioritet kombëtar i Kosovës. Samiti Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor rikonfirmoi mbështetjen për politikën e zgjerimit drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria ka mbështetur dhe do të vijojë të mbështesë pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës. Ne besojmë se Republika e Kosovës i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim dhe pranimi i saj si anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës është vetëm çështje kohe dhe do të ndodhë shpejt”, u shpreh ajo, duke premtuar se delegacioni shqiptar në Asamblenë e KE do i mbështesë në proces.
Spiropali u shpreh gjithashtu edhe se “si anëtarë aktivë të NATO-s, ne nxisim forcimin e mëtejshme të marrëdhënieve të Kosovës me Aleancën”.
“NATO është garancia e pazëvendësueshme e sigurisë së Kosovës dhe gjithë botës ku ne përkasim. Ne ndjekim me shqetësim spiralen e destabilizimit që herë pas here ngre krye si gjarpër i porsazgjuar në Veriun e Kosovës. Në mbështesim përpjekjet shumëplanëshe të qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve ligjzbatuese për garantimin e ligjit në çdo hapësirë të Republikës së Kosovës, në partneritet të ngushtë me partnerët tanë, SHBA e BE”, tha Spiropali ndër të tjera, teksa i cilësoi ‘dalldira’ të së shkuarës frymëzimet nacionaliste që kërkojnë ta mbajnë Veriun e Kosovës peng të maktheve që vijnë nga errësira e shekujve.
Lajmi kryesor: