Ndonëse i ndodhur nën presion të fortë nga udhëheqësit perëndimorë, presidenti rus Vladimir Putin nuk ka ndërmend të largohet nga bisedimet e G20. Ndryshe nga çfarë u raportua, zëdhënësi i presidentit, Dimitry Peskov hodhi poshtë lajmin se Putin do të largohet nga bisedimet aktuale në Berisbane të Australisë.
 
Gjatë një takimi rreth 50-minutësh me kryeministrin britanik, David Cameron paralajmëroi Putin mbi ndërhyrjen e Rusisë në Ukrainë, duke thënë se me këtë ai ka rrezikuar marrëdhënien me Perëndimin, ndërkohë që presidenti rus mohoi edhe sot që Rusia të ketë dërguar trupa atje.
 
Nga ana tjetër, edhe kancelarja gjermane Angela Merkel paralajmëroi sanksione të mëtejshme nëse nuk ka një përmirësim të situatës në Ukrainë.
 
“Bisedimet këtu shërbejnë për të marrë një përshtypje se si presidenti rus e shikon këtë situatë. Unë nuk pres ndryshim ekstrem të kursit, por realisht situata nuk është fare e kënaqshme”, shtoi Merkel.
 
Reagimi më i ashpër erdhi nga kryeministri kanadez, Stephen Harper i cili iu drejtua Putin: “Unë do ta jap dorën, por kam vetëm një gjë për të të thënë: Duhet të dilni shpejt nga Ukraina”.
 
Ndërkaq, Franca ka ndalur shpërndarjen e luftanijeve të Moskës mbi veprimet e saj në Ukrainë. Ndërkaq, jashtë samitit, ukrainas e australianë të shumtë organizuan protestë anti-Putin. Veshur me flamujt e shteteve që kanë humbur qytetarët nga rrëzimi i “Malaysia Airlines MH17’, ata thanë se po protestonin kundër akteve vrasëse të Putin.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)