Presidenti Bajram Begaj priti ambasadorët e huaj në ceremoninë e parë diplomatike për vitin 2026, ku morën pjesë edhe deputetë të Parlamentit Evropian.
Në fjalën e tij, Begaj vlerësoi për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i cilësoi ato si një partneritet të veçantë dhe historik, të ndërtuar mbi besim dhe vlera të përbashkëta. Ai përmendi edhe ftesën e presidentit Donald Trump për përfshirjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes, duke e quajtur atë një vlerësim për rolin e Shqipërisë si partner i besueshëm.
" Marrëdhënia jonë strategjike me SHBA, anëtarësimi në BE dhe përkatësia jonë ne aleancën e Atlantikut të Veriut përbëjnë themelet e sigurisë dhe orientimit tonë ndërkombëtar. Partneriteti me SHBA-të është më shumë se një aleancë politike ushtarake. Është një marrëdhënie e veçantë, historike, e ndërtuar mbi mirënjohjen, besimin, vlerat e përbashkëta, dhe angazhimin për lirinë dhe demokracinë. Pak ditë më parë, kjo marrëdhënie u pasurua me një tjetër element domethënës, përmes ftesës së presidentit Donald Trump për përfshirjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes, një nismë e rëndësishme që forcon paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar. Ky angazhim pasqyron vlerësimin e SHBA-ve për Shqipërinë, si një partner i besueshëm, i qëndrueshëm dhe i përkushtuar" tha Begaj
Presidenti u ndal edhe te marrëdhënia me Bashkimi Evropian, duke thënë se anëtarësimi mbetet një zgjedhje strategjike dhe një kthim në familjen natyrore europiane. Ai theksoi se hapja e grupkapitujve të negociatave dëshmon njohjen e reformave të ndërmarra nga Shqipëria.
"Aspirata e Shqipërisë për anëtarësimin në BE është një zgjedhje strategjike dhe kthim në familjen tonë natyrore. Europa mbetet një projekt paqeje dhe vlerash që ndërtohet mbi demokracinë, shtetin e së drejtës dhe respektin për liritë individuale. Rruga jonë drejt anëtarësimit në BE është një proces transformues ë synon të forcojë institucionet, rrisë standardet dhe konsolidojë stabilitetin. Hapja e grupkapitujve të negociatave konfirmoi njohjen nga BE të reformave të ndërmarra, duke shënuar kalimin nga aspirata në një angazhim të strukturar dhe të bazuar në meritë" tha Begaj
Në fjalën e tij, presidenti përmendi edhe përkatësinë e Shqipërisë në NATO, duke e cilësuar atë si një nga shtyllat e sigurisë dhe orientimit ndërkombëtar të vendit.
"NATO për Shqipërinë nuk është vetëm një mekanizëm mbrojtjeje, por një komunitet vlerash, ku siguria kolektive ecën paralelisht me përgjegjësinë individuale të çdo vendi anëtar. Si një vend i vogël, ne e matim kontributin tonë me qëndrueshmërinë e angazhimit dhe besueshmërinë si aleat. Në një epokë ku siguria nuk mund të merret më si e mirëqenë, forcimi i Aleancës Euroatlantike mbetet prioritet. Shqipëria do të vijojë të kontribuojë aktivisht në NATO, jo vetëm si përfituese, por si një kontribuuese e besueshme për sigurinë kolektive. Investimet në mbrojtjen kibernetike, në inovacion dhe në kapacitetet moderne të mbrojtjes janë pjesë e këtij angazhimi për t’u përshtatur me sfidat e shekullit XXI" tha Begaj.
Begaj theksoi se përkatësia euroatlantike e Shqipërisë dhe bashkëpunimi me partnerët strategjikë "nuk janë thjeshtë llogari gjeopolitike por zgjedhje identiteti dhe vlera të patjetërsueshme".
"Kemi zgjedhur të jemi ku janë vlerat e paqes dhe të demokracisë, sundimit të ligjit dhe dinjitetit njerëzor sepse këto i japin kuptim qënies tonë si shtet" deklaroi Begaj.
Në fjalën e tij, Begaj konfirmoi pjekurinë e reformës në drejtësi dhe garantoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të mbetet në krye të agjendës së Shqipërisë, dhe kjo jo si kërkesë e partnerëve, por si një nevojë jetike për të ardhmen e vendit.
"Reforma në drejtësi ka hyrë në një fazë të pjekurisë institucionale. Sot, institucionet e reja të drejtësisë flasin me gjuhën e rezultateve, duke thyer mitin e pandëshkueshmërisë dhe duke forcuar gradualisht besimin e qytetarëve te shteti i së drejtës. Ne jemi të vetëdijshëm se pritshmëritë janë më të larta se kurrë dhe pikërisht kjo është shenja e një shoqërie që nuk kënaqet më me simbolikë, por kërkon drejtësi funksionale" tha Begaj.
Në fund të fjalës së tij, Presidenti Begaj garantoi diplomatët e pranishëm se Shqipëria do të vazhdojë të jetë një "partnere e besueshme, e parashikueshme dhe e përkushtuar ndaj vlerave që bashkojnë aleatët", me besimin se paqja, stabiliteti dhe bashkëpunimi "ndërtohen çdo ditë, çdo ditë me përgjegjësi dhe respekt të ndërsjellë."
Komente









