Takimi konsultativ i thirrur nga kryesuesi i seancës Adem Mikullovci, ka përfunduar pa sukses, edhe në këtë takim nuk është arritur koordinim për caktimi e seancës ku do të caktohet edhe kreu i Kuvendit, një hap ky që do mundësonte krijimin e qeverisë.

I nominuari për kryeministër nga koalicioni LAA, Avdullah Hoti ka dalë i pari nga takimi, dhe ka bërë me dije lajmin se nuk do të ketë një seancë.

"Pas diskutimeve të gjata në kohën kur dola nga takimi nuk kemi koordinim mes partive. Besoj që kryesuesi tash do ta shfrytëzojë të drejtën e tij kushtetuese për ta thirrur seancën", ka deklaruar ai.

Hoti më tej, ka thënë se PAN ka kërkuar vazhdimisht që të shtyhet seanca.

Ditën e djeshme gjatë seancës konstituitive u betuan deputetët, ndërsa nuk u arrit të gjendej marrëveshje për të zgjedhur edhe kreun e ri të Kuvendit, ku ndër më favoritët është Kadri Veseli.

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com