Në takimin me ministren e Ekonomisë, Delina Ibrahimajt, Shoqatës së Transportit i është premtuar se do të riaktivizohet VKM e vitit 2022 që parashikon kompensimin me 100 lekë/litër karburant për linjat urbane dhe ndërurbane, si dhe kompensim taksash.
Ky zhvillim vjen pas kërkesave të tyre për subvencionim të naftës ose në të kundërt do të reduktonin me 30% flotën e autobusëve.
VKM e vitit 2022:
1. Kompensimin e shoqërive të transportit për linjat qytetase, rrethqytetase dhe ndërqytetase, në masën 100 (njëqind) lekë për litër karburanti, për një periudhë tremujore: mars, prill, maj 2022. Kompensimi bëhet për shumën e konsumimit të karburantit për periudhën: mars, prill, maj 2022, por jo më shumë se sasia e konsumuar për të njëjtën periudhë të vitit 2021, për secilën nga shoqëritë.
Kostandin Foni nga Shoqata e Transportit thotë se “shuma aktualisht mbetet për të diskutuar pasi edhe nafta është edhe më shtrenjtë sesa atëherë. Fatura e fundit ka qenë 145 lekë për litër në çmime normale, aktualisht është 210 lekë. Diferenca është e ndjeshme për operatorët. Kjo është emergjente, në rast se anashkalohet, operatorët do të reduktojnë flotën.”
Sipas tij subvencionimi do të ketë efekt edhe për muajin mars, kur çmimi pësoi ndryshime.
Në kërkesën e shoqatës, renditen katër prioritete:
-Miratimi i një pakete antikrizë emergjente, në përputhje me precedentët ekzistues
-Rishikimi i menjëhershëm i barrës fiskale, heqja e taksës së qarkullimit
-Heqja ose pezullimi i akcizës mbi karburantin për këtë sektor
-Heqja e TVSH-së.
Lidhur me heqjen e taksës së qarkullimit, kryeministri Edi Rama është shprehur se kjo alternativë është marrë në konsideratë dhe do ta ulte çmimin e naftës, por “qytetarët do të paguanin katërfish më shumë.”
Ndërsa për heqjen/pezullimin e akcizës, ministri i Financave, Petrit Malaj ka thënë se nëse çmimi i naftës që aktualisht është caktuar nga Bordi i Transparencës në 218 lekë/litër, arrin në 220 lekë/litër ose më shumë, qeveria do të ulë akcizën me 20% (8 lekë).
Në kërkesë theksohet se mosndërhyrja do të sillte pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët, ndërsa është kërkuar që në rast se masat e mësipërme nuk realizohen në afat të menjëhershëm, “të aplikohet një mekanizëm kompensimi financiar i drejtpërdrejtë, i bazuar në faturat reale të furnizimit me karburant, deklarimet tatimore dhe nivelin e konsumit të verifikuar sipas aktivitetit të licencuar.”
Më 28 mars, Bordi i Transparencës vendosi çmimet e reja tavan ku nafta nga 203 lekë/litri që ishte, tani tregtohet me 218 lekë/litri. Çmimi i shitjes me shumicë u vendos jo më shumë se 206 lekë/litër.
Benzina pësoi një rritje me 6 lekë pasi nga 175 lekë litri, tashmë tregtohet me 181 lekë/litri. Çmimi i shitjes me shumicë u caktua jo më shumë se 169 lekë/litër.
Lajm në përditësim...
Komente












