Produktet e shportës ushqimore kanë nisur të reflektojnë rritjen e çmimeve, tha ministrja Delina Ibrahimaj. 80 produkte ushqimore janë nën monitorim dhe tani një ekip do të dalë në terren. Ministrja theksoi se kryesore është garancia për të mos pasur spekulime.

“Sa u takon ushqimeve, ne po monitorojmë një shportë me 80 ushqime dhe e vërteta është që kanë filluar të reflektohen në disa prej produkteve të shportës çmimet e rritura. Do të aktivizojmë një ekip, disa grupe monitorimi nga Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut për të verifikuar këto çmime sepse ne kemi përzgjedhur në bashkëpunim me INSTAT këtë listë produktesh dhe një numër të limituar të tregtarëve. Tani do të dalim në terren për të monitoruar çmimet dhe reflektimin e furnizimeve me realitetin.. Nëse do të marrim vendime në të ardhmen, do të marrim vendime që lidhen me shportën bazë të konsumit, me rritjen e përgjithshme të çmimeve të konsumit. Ajo që duhet të garantojmë është që të mos ketë spekulime me rritje të çmimeve të cilat nuk reflektojnë çmimet e zhdoganimit”, tha Ibrahimaj.

Më herët, ministrja tha se rritja e çmimeve nuk ka pasur ende ndikim domethënës.


Lajmi kryesor:

Rritje e produkteve të shportës, Ibrahimaj: Monitorim kundër abuzimeve, por s’ndërhyjmë dot! Bordi për naftën në fuqi deri në rikthimin e çmimeve para krizës