Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u prit në Athinë nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis me të cilin zhvilloi një takim dypalësh.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, kryeministri Kurti fillimisht i uroi homologut të tij grek për rizgjedhjen e tij si kryeministër dhe mandatin e ri qeveritar, duke ofruar bashkëpunim mes dy vendeve.
Kurti tha se Kosova dhe Greqia kanë marrëdhënie të mira të cilat po përmirësohen vazhdimisht si nga ana ekonomike përmes rritjes së shkëmbimeve tregtare ashtu edhe nga ana politike përmes vizitave të shpeshta të krerëve institucional të të dy shteteve, raportojnë mediat e huaja.
Dy kryeministrat biseduan edhe për dialogun në Bruksel dhe bashkëpunimin rajonal, ku Kurti tha se tashmë është një marrëveshje por nevojitet zbatimi i plotë i saj dhe pa kushtëzime.
“Takimi u dominua nga diskutimi në forcimin e marrëdhënieve ekonomike. Kryeministri Mitsotakis e falenderoi për pjesëmarrjen në darkë Kryeministrin Kurti dhe tha se është i interesuar të forcojë lidhjet ekonomike teksa shprehu interesim për sektorë të ndryshëm të ekonomisë”, thuhet në njoftim.
Në takim u bë e ditur se shkëmbimi tregtar me Greqinë vitin e kaluar ishte 308 milionë euro, një rritje prej mbi 40%, afër 100 milionë euro krahasuar me vitin 2021.
Teksa shprehu keqardhjen e tij për zjarret që kanë përfshirë një pjesë të Greqisë, kryeministri Kurti po ashtu ofroi ndihmën e Kosovës në përballimin e zjarreve.
Me ftesë të kryeministrit Mitsotakis mbrëmë u zhvillua një darkë në të cilën ishin të pranishëm liderët e Ballkanit Perëndimor si dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, Kryeministri i Rumanisë Marcel Ciolacu, Kryeministri i Bullgarisë Nikolai Denkov, dhe presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.