Takimi Kurti-Vuçiç për sekuencimin e Marrëveshjes Bazë

Takimi Kurti-Vuçiç për sekuencimin e Marrëveshjes Bazë

Takimi i nivelit të lartë midis kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 14 shtator, duhet të zhvillohet për zbatimin e Marrëveshjes Bazë, kanë thënë të premten në Qeveri. Zgjidhje do të tentohet që t’u jepet edhe katër temave të tjera, për të cilat në Bashkimin Evropian patën kërkuar komente nga palët, në takimin e kryenegociatorëve më 19 korrik të këtij viti.

Situata në veriun e Kosovës të banuar kryesisht me serbë dhe modalitetet për zbatimin e Aneksit të Ohrit pritet që të diskutohen në takimin midis kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 14 shtator, të cilin e ka paralajmëruar shefi i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian patën deklaruar se janë në pritje të komenteve nga Kosova dhe Serbia lidhur me pesë çështjet e diskutuara në korrik, për të cilat nuk ka pasur pajtueshmëri midis palëve.

Në mesin e këtyre çështjeve përfshihet zbatimi i Marrëveshjes së re për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, për energjinë, zbatimi i Deklaratës për Personat e Pagjetur, depërshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, si dhe çështjet tregtare.

Në Qeverinë e Kosovës nuk kanë treguar të premten nëse i janë përcjellë komentet Brukselit dhe as nëse takimit Kurti-Vuçiq do t’i paraprijnë diskutimet në nivel të kryenegociatorëve.

Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Kurti, ka deklaruar të enjten në “Interaktiv” se në takimin e 14 shtatorit do të diskutohen hapat që duhen ndërmarrë në zbatimin e secilit nen të marrëveshjes.

“Takimet janë për zbatimin e marrëveshjeve. Gjithçka tjetër nuk i kontribuon normalizimit të raporteve. Shkojmë në Bruksel për të zbatuar Marrëveshjen që e kemi dakorduar, e besojmë se duhet të nënshkruhet. Është mirë të nënshkruhet, ne jemi pajtuar të nënshkruajmë për të. Por, çdo takim i nivelit të lartë është për zbatimin e marrëveshjes që tashmë është në pjesën e sekuencimit, të hapave që duhet të ndërmerren nga palët për të zbatuar secilin nen të marrëveshjes”, ka thënë Zulfaj.

Ai e ka kritikuar ndërmjetësin e dialogut, Miroslav Lajçak, për qasje të pabalancuar ndaj palëve. Me këtë ai u është referuar edhe masave që BE-ja ia ka vendosur Kosovës pas tensioneve në veri.

Ndërkaq kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pati deklaruar se Lajçak po mundohet t’i shtyjë përpara vetëm kërkesat e Serbisë e që kryesorja prej tyre është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, çështje kjo që trajtohet në kuadër të nenit 7 të marrëveshjes.

Por zyra e Lajçakut u është përgjigjur akuzave duke thënë se BE-ja vepron vetëm si lehtësues dhe se përgjegjësia për t’u pajtuar mbi zgjidhjet evropiane në fund të fundit bie te palët.

E deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Enver Dugolli, ka thënë të premten se pret që në dialog BE-ja ta drejtojë gishtin e fajësisë kah Beogradi zyrtar dhe të shtojë presionin mbi Serbinë për të zbatuar marrëveshjen e dakorduar. Duke folur në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, Dugolli e ka akuzuar Serbinë se është e interesuar që vetëm të humbë kohë në dialog. Sipas tij, situata në veri është më e qetë dhe se ka mbetur vetëm faza përfundimtare e depërshkallëzimit, ajo e shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Nga Kosova është shprehur vazhdimisht përkushtimi për zbatimin e Marrëveshjes Bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, sipas propozimit të BE-së. Për autoritetet, Aneksi për zbatimin e saj duhet të implementohet në mënyrë të sekuencuar dhe të balancuar.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve sipas propozimit të BE-së është arritur në fund të shkurtit, ndërsa për Aneksin e zbatimit të saj palët u dakorduan në mars. Kjo marrëveshje parasheh zgjidhjen e shumë çështjeve të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Porse ngeli në plan të dytë, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, në fund të majit.

Kurti dhe Vuçiqi janë takuar për herë të fundit në Bruksel më 2 maj, nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme që janë mbajtur më 23 prill në veri të Kosovës dhe të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe. Që atëherë midis dy vendeve ka pasur tensione dhe kriza.

E të mërkurën nga BE-ja është përsëritur thirrja adresuar të dyja palëve që të krijojnë një klimë për vazhdimin e dialogut. Dy vendet, nën ndërmjetësimin e BE-së, janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011. Ndonëse kanë arritur me dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme, zbatimi i shumicës prej tyre ka ngecur./koha.net

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë