Gazment Bardhi u takua me ambasadorin e Spanjës në Shqipëri, Gabriel Cremades Ventura, në një bisedë ku u fol për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Gjatë takimit, kreu i grupit parlamentar të PD-së vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Spanjës dhe theksoi se ka nevojë për bashkëpunim edhe më të ngushtë në disa fusha. Ai falënderoi gjithashtu Spanjën për mbështetjen që i jep Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Bardhi tha se opozita ka shqetësime për mënyrën si po zbatohen standardet demokratike dhe respektimi i shtetit ligjor në vend. Sipas tij, këto janë baza mbi të cilat duhet të ecë përpara procesi i integrimit.
Në bisedë u përmend edhe qëndrimi publik i kryetarit të Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, David McAllister, i cili e ka cilësuar çështjen Balluku si një test kritik për Shqipërinë në raport me reformën në drejtësi dhe seriozitetin e luftës kundër korrupsionit.
Sipas Bardhit opozita është e gatshme të kontribuojë që "vendi të ketë institucione që funksionojnë sipas ligjit dhe zgjedhje të lira e të ndershme që garantojnë rotacion politik nëpërmjet votës së qytetarëve."
Komente









