Ministrja e Jashtme Elisa Spiropali u prit sot në Shtëpinë e Bardhë, nga Charles McLaughlin, Asistent Special i presidentit Donald Trump dhe Drejtor i Lartë për Europën dhe Rusinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, me të cilin diskutoi bashkëpunimin Shqipëri–SHBA dhe rolin e Tiranës në nisma ndërkombëtare për sigurinë dhe paqen.
Sipas njoftimit të bërë publik nga Spiropali, biseda u përqendrua te marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe te përfshirja e Shqipërisë në Bordin e Paqes, një iniciativë e shpallur nga presidenti Donald Trump. Sipas Spiropalit, ky forum do të ketë rol praktik në adresimin e konflikteve duke operuar si një strukturë që synon veprim konkret, bazuar në parime.
"Bashkë me Drejtorin McLaughlin ndamë bindjen se Bordi i Paqes do të jetë në thelb Bordi i Veprimit, një iniciativë e orientuar nga parimet për zgjidhjen e qëndrueshme të konflikteve."
Në reagimin e saj në rrjetet sociale, Spiropali njoftoi gjithashtu se Shqipëria do të jetë pjesë e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën, e parashikuar në planin 20-pikësh të presidentit Donald Trump, duke u renditur mes vendeve anëtare që marrin pjesë që në fazën e parë të kësaj nisme.
"Përfaqësimi nga Kryeministri Rama në këtë iniciativë fisnike të Presidentit Trump, përveçse e ripozicionon Shqipërinë si kontributore aktive në çështjet e sigurisë dhe paqes, i jep një tjetër përmasë bashkë-koordinimit me aleatin tonë historik. Ndamë bindjen se Bordi i Paqes do të jetë në thelb Bordi i Veprimit, një iniciativë e orientuar nga parimet për zgjidhjen e qëndrueshme të konflikteve." shkroi Spiropali në rrjete sociale.
Gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë, ku morri pjesë edhe Ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati,u përmend edhe mundësia e mbajtjes së sesionit të dytë të Dialogut Strategjik Shqipëri–SHBA, që sipas Spiropalit synon të adresojë çështje të bashkëpunimit ekonomik, tregtar, energjitik dhe zhvillimor.
Postimi i plotë i Spiropalit në Facebook
Shtëpia e Bardhë - Washington - Me Charles McLaughlin, Asistent Special i Presidentit Trump dhe Drejtor i Lartë për Evropën dhe Rusinë, Këshilli i Sigurisë Kombëtare (NSC). U ndalëm në potencialin e thellimit të partneritetit strategjik Shqipëri–SHBA dhe veçanërisht te roli i ri i Shqipërisë si Anëtare-Themeluese e Bordit të Paqes. Përfaqësimi nga Kryeministri Rama në këtë iniciativë fisnike të Presidentit Trump, përveçse e ripozicionon Shqipërinë si kontributore aktive në çështjet e sigurisë dhe paqes, i jep një tjetër përmasë bashkë-koordinimit me aleatin tonë historik. Ndamë bindjen se Bordi i Paqes do të jetë në thelb Bordi i Veprimit, një iniciativë e orientuar nga parimet për zgjidhjen e qëndrueshme të konflikteve. Shqipëria është e nderuar të jetë gjithashtu në krah të SHBA si anëtare inauguruese e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit, ISF, në linjë me planin 20 pikësh të Presidentit Trump për Gazën, si një vend që eksporton stabilitet e siguri. Gjatë takimit konfirmova gatishmërinë tonë për mbajtjen e sesionit të dytë të Dialogut Strategjik, për të thelluar dhe më tej marrëdhëniet tona në të gjithë sektorët me interes të përbashkët ekonomik, tregtar, energjitik e zhvillimor"
Komente









