Një ditë më parë, fermerët e Frakullës në Fier protestuan pasi çmimi i ulët i luleshtrydhes po i çon drejt falimentimit. Ata bllokuan përkohësisht qarkullimin dhe hodhën një pjesë të prodhimit në rrugë  ndërsa thanë se pikat e grumbullimit e marrin frutin pa faturë.

Fermeri Kledi Troka, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga sera e tij me “Studio Live” në Report Tv tha se nuk janë ndërmarrë masa konkrete nga institucionet.

“Asnjë institucion nuk ka vënë dorën në zjarr. Kanë ardhur sa për t’u mbyllur gojën njerëzve, pastaj kanë ikur si fantazma. Asgjë konkrete, vetëm me fjalë të ngrohta. Do t’ju vlerësojmë, do t’ju bëjmë, asgjë”, tha Troka.

Fermerët synojnë t’i vazhdojnë protestat, nëse nuk i pengon policia. Troka tha se ministri i Bujqësisë nuk ka ndërmarrë asnjë veprim.

“Ne do të vijojmë të bëjmë protesta të tilla po na lejoi shteti, policia. Gjysmë ore donim të zinim rrugën në shenjë proteste, na thanë nëse do të bëni protestë, shkoni direkt në burg. Jemi të pafuqishëm kundër shtetit. Ministri i Bujqësisë shikon kush bën gjëra të tjera dhe s’bën asgjë. Ne zëre se nuk ekzistojmë”, u shpreh Troka.

Armelin Meta nga sindikata Fermerët e Bashkuar tha se ka dy problematika: mosdhënia e faturës së TVSH-së në pikat e grumbullimit dhe mungesa e subvencioneve.

“Çmimi i produkteve bujqësore është kërkesë-ofertë. Në këto situata është subvencionimi ai që e balancon fermerin me çmimin e ulët dhe strukturat e shtetit. Në momentin që dorëzohet produkti duhet të jepet fatura e TVSH-së”, tha Meta.

Fermeri Troka tha se luleshtrydhet nuk janë rasti i parë që ai pëson dëm financiar.

“Vjet kam shkulur 600 rrënjë nektarina, i mbajta 10 vjet dhe asnjëherë nuk fitova një lek. Fusin mall nga jashtë dhe me 20-30 lekë talleshin pikat e grumbullimit”, tregoi fermeri.

I pyetur nëse situata mund të zgjidhet përmes bashkëbisedimit me pikat e grumbullimit, fermeri tha se është e nevojshme ndërhyrja institucionale pasi fermerët kanë shpenzime të tjera përveç ngërçit me shitjen e prodhimit.

“Kush ta fal lekun sot? Këtu te ne janë bërë të gjithë si hienat, kush më shumë të shqyejë popullin e t’i thithë gjakun! Se e çon te njëra magazinë a te tjetra, të njëjtin çmim ke. Po s’vuri dorë shteti, jemi të pafuqishëm për t’u përballur me ta. Luleshtrydhja është në kulmin e saj që arrin edhe në 100 arka për dynym në një vjelje. Po shkojmë drejt falimentimit! Në 100 arka luleshtrydhe, unë marr sot 450 mijë lekë (të vjetra). Plus punëtorët që vjelin, ushqimet e vaditjet që ajo merr, pa vendosur pesticidet e të tjerat”, tha Troka.

Meta vlerësoi nismat pozitive të qeverisë për bujqësinë, por nënvizoi se ky sektor ekonomik ka bërë hapa pas sepse nuk janë ideuar plane afatgjata.