Kroacia do të ndihmojë Shqipërinë me ekspertizë teknike konkrete. Këtë e ka bërë me dije ministrja e Jashtme Olta Xhaçka pas takimit me homologun kroat Gordan Grlic-Radman.
Në deklaratën për media, Xhaçka u shpreh se në fokus të diskutimit ishte dhe organizimi i takimit të përbashkët të dy qeverive për herë të parë. Ministrja e Jashtme u shpreh se bashkëpunimi do të jetë kyç për të përballuar sfidat e sigurisë.
Ajo nuk la pa përmendur edhe vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme që Kroacia i ka dhënë dhe i jep Kosovës ndërsa theksoi se do të punojnë më shumë për të çuar përpara bashkëpunimin në të mirë të rajonit.
“Kam kënaqësinë ta uroj për arritjet e Kroacisë siç ishte hyrja në Eurozone dhe Shengen. Ajo çfarë ka arritur Kroacia jo thjesht na gëzon si fqinj të mirë, por na tregon se puna për kryerjen e reformave shpërblehet. Diskutuam për procesin e integrimit dhe më lejoni t’ju kujtoj se Rama i ka kërkuar homologut ndihmën e ekspertëve negociator për procesin tonë. Çështjet e bashkëpunimit në fushën e integrimit, në fokus të axhendës tonë dypalëshe. Kroacia do të vijojë të jetë një mbështetëse e parezervë e procesit tonë të integrimit në BE jo vetëm politikisht, por edhe me ekspertizë teknike konkrete.
Diskutuam edhe për një numër aktivitetesh që do të organizohen për herë të parë, si takimi i përbashkët i dy qeverive. Ndërkohë që vlerësuan trendin rritës të shkëmbimeve, duhet të punojmë më shumë për të zhvilluar më tjetër bashkëpunimin ekonomik e tregtar, ndaj do të mbajmë komisionin e gjashtë në gjysmën e dytë të këtij viti. Do mirëpresim më shumë investime private. Jam optimiste se do të dimë të bashkëpunojmë për të çuar përpara bashkëpunimin mes nesh”, tha Olta Xhaçka.
Edhe ministri kroat u shpreh se Kroacia do të ofrojë mbështetje për Shqipërinë që të ecë përpara në rrugën e integrimit në BE.
“Jam mirënjohës dhe falënderues me takimin Olta Xhaçka. Ne jemi takuar shpesh dhe në konferenca të tjera ndërkombëtare dhe të gjitha na kanë dhënë mundësinë të shkëmbejmë këndvështrimet tona për cështje të ndryshme me interes të përbashkët. Sa i takon marrëdhënieve bilaterale, të dyja janë aleate vende të NATO-s, gjithmonë kemi pasur lidhje të shkëlqyera.
Gjatë cdo takimi në Shqipëri, Kroacia ka mbështetur e do të vijojë të mbështesë rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së. Kroacia është gati të ofrojë mbështetje politike dhe teknike për Shqipërinë për të realizuar transmetimin e të gjitha njohurive dhe përvojën e saj për integrimin e Shqipërisë në BE. Bashkëpunimi ynë ekonomik është në trend rritës. Ne besojmë se lidhjet më të mira në transport do të rrisin bashkëpunimin ekonomik dhe do i bëjnë njerëzit më të afërt me njëri-tjetrin”, tha ministri Gordan Grlic-Radman.
Ministri për Punët e Jashtme dhe Çështjet Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić-Radman, vizitoi shkollën 9-vjeçare dhe kopshtin "Iliria" në Fushë-Krujë, rindërtuar tërësisht nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) me një financim prej 1 milion Euro nga Qeveria e Kroacisë. Shkolla dhe kopshti janë dëmtuar rëndë nga tërmeti shkatërrimtar që goditi Shqipërinë në vitin 2019-të.
Shkolla dhe kopshti i shërbejnë 156 nxënësve dhe kanë në përbërje 14 punonjës mësimor.
Përgjatë vizitës, Ministri për Punët e Jashtme dhe Çështjet Evropiane të Kroacisë ndërveproi me fëmijët dhe mësuesit rreth mundësive të reja të mësimnxënies dhe mësimdhënies që tashmë shkolla dhe kopshti i ri ofrojnë.
"Kjo shkollë nuk është vetëm një ndërtesë, por është njëkohësisht simbol i shpresës dhe qëndrueshmërisë. Të gjithë kujtojmë tërmetin shkatërrues që goditi Shqipërinë në Nëntor të 2019-tës, duke shkaktuar shkatërrim të gjerë dhe humbje jete. Sot ne jemi të kënaqur që kemi qenë në gjendje të luajmë një rol në përpjekjet e rindërtimit përmes projektit tonë më të madh të bashkëpunimit dypalësh për zhvillim deri më sot".
E pranishme ishte edhe përfaqësuesja e Përhershme e UNDP në Shqipëri, Monica Merino.
"Shkolla dhe Kopshti "Iliria" përfaqësojnë shpresë, qëndrueshmëri dhe progres për komunitetin. Jemi mirënjohës ndaj kësaj mbështetjeje strategjike të Qeverisë Kroate, e cila na ka ndihmuar të ndërtojmë një objekt arsimor të qëndrueshëm dhe me aksesueshmëri të lartë për fëmijët dhe komunitetin e Fushë-Krujës".
Mbështetja e Qeverisë Kroate në rindërtimin e shkollës 9-vjeçare dhe kopshtit "Iliria" reflekton rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për të ndihmuar vendet në menaxhimin e fatkeqësive natyrore.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka pritur sot në një takim ministrin e Jashtëm kroat, Gordan Grliç Radman, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare.
Gjatë takimit, duke iu referuar marrëdhënieve shumë të mira e tradicionalisht miqësore dhe të partneritetit strategjik midis dy vendeve, Presidenti Begaj përshëndeti hyrjen e Kroacisë në hapësirën Schengen dhe në Eurozonë.
“Kroacia mbetet një shembull shumë i mirë për Shqipërinë dhe të gjitha vendet e rajonit” – nënvizoi Presidenti Begaj.
Në mënyrë të veçantë Presidenti Begaj u ndal tek bashkëpunimi në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë gjithmonë Shqipërisë në këtë drejtim. Gjithashtu, Presidenti Begaj vlerësoi se ekspertiza dhe njohuritë kroate në këtë drejtim janë shumë të vyera për ekipin negociator shqiptar, veçanërisht në këtë fazë të negociatave të aderimit në BE.
Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu edhe bashkëpunimin shumë të ngushtë në kuadër të bashkëpunimit rajonal, duke nënvizuar se roli i Kroacisë për sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit është shumë i rëndësishëm. Në këtë kuadër, Presidenti Begaj, vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë si aleatë në NATO, si dhe mbështetjen që Kroacia i ka dhënë Kosovës për anëtarësimin në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, por edhe për liberalizimin e vizave dhe dialogun me Serbinë.
Të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe tek efektet negative të prodhura për rajonin e Ballkanit Perëndimor nga agresioni ushtarak rus në Ukrainë, si dhe nevojën e një koordinimi e bashkëpunimi më të ngushtë në këtë drejtim për të minimizuar ndërhyrjen e aktorëve të tretë keqdashës.
Gjithashtu, nga të dy bashkëbiseduesit u vlerësuan mbështetjet reciproke të kandidaturave për në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Sa turp nje shtet mbi 110 vjecar mer shembull nga nje shtet 30 vjecar Po pse ndodh kjo Sepse keta qe na kane udheheq vendin e kan ndar kete shqiperi si feudin e vete qe kush e kush te vjedh sa me shum dhe karriga u ka ngjir pas bythes Kurse krocia mendon per te bere shtet te fort per popullin e vete jo shtet per politikanet hajduter
Përgjigju