Projekti për bujqësinë dhe përballimin e ndryshimeve klimatike ishte në fokus të një takimi mes ministrit Andis Salla dhe përfaqësueses së Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu.
Gjatë bisedës u diskutua ecuria e projektit “Qëndrueshmëria ndaj Klimës dhe Zhvillimi i Bujqësisë” (CRAD), si dhe hapat që do të ndërmerren për të përshpejtuar zbatimin e tij në mbështetje të fermerëve dhe zhvillimit të sektorit.
Salla theksoi se bashkëpunimi me Bankën Botërore do të ndihmojë në zbatimin efektiv të projektit dhe rritjen e përfitimeve për bujqësinë.
"Në vijim të monitorimit të vazhdueshëm të projektit CRAD, një bashkëbisedim i frytshëm me znj. Xiaoqing Yu, Drejtore e Divizionit për Ballkanin Perëndimor në Bankën Botërore, ku diskutuam ecurinë e projektit dhe hapat konkretë për përshpejtimin e zbatimit në mbështetje të zhvillimit të sektorit bujqësor dhe procesit të integrimit europian. Përmes bashkëpunimit të ngushtë me Bankën Botërore do të garantojmë zbatimin efektiv të projektit dhe maksimizimin e përfitimeve për fermerët dhe sektorin bujqësor. Projekti synon përmirësimin e zinxhirit ushqimor nga ferma në tavolinë, rritjen e vlerës së produkteve bujqësore, forcimin e sigurisë ushqimore, si dhe modernizimin e sistemeve të vaditjes dhe kullimit" shkroi Salla në rrjete sociale.
Qëllimi i projektit është përmirësimi i zinxhirit ushqimor nga ferma në tavolinë, rritja e vlerës së produkteve bujqësore dhe forcimi i sigurisë ushqimore.
Në fokus janë edhe investimet në sisteme moderne vaditjeje dhe kullimi, që synojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në prodhimin dhe punën e fermerëve.
Komente










