Gazment Bardhi, Jorida Tabaku dhe Agron Gjekmarkaj zhvilluan një takim në Parlamentin Europian me Sekretaren e Përgjithshme të Partisë Popullore Europiane (PPE) dhe eurodeputeten Dolores Montserrat.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e Partisë Demokratike thanë se ngritën shqetësime për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke akuzuar qeverinë se po pengon avancimin e vendit drejt Bashkimit Europian.
Duke postuar foto nga takimi, deputeti Gazment Bardhi tha se qeverisja e Edi Ramës është armiku i integrimit europian të Shqipërisë
"Integrimi europian ka vetëm një armik: qeverisjen e korruptuar dhe të papërgjegjshme të Edi Ramës. Edi Rama zgjodhi Belinda Ballukun përpara integrimit europian. Me vetëdije të plotë, për të mbrojtur bashkëpunëtoren e tij të pandehur nga SPAK-u, Edi Rama nuk e kaloi testin e Europës dhe sot raporti i Parlamentit Europian po na vendos kusht pas kushti, duke shprehur hapur zhgënjimin dhe mosbesimin ndaj kësaj qeverie. Edi Rama zgjodhi aleancën me krimin e organizuar, në vend të aleancës me familjen europiane. Vetëm në dy dosje të drejtësisë, të bëra publike së fundmi, rezulton qartë se, me firmën e Edi Ramës, Shqipëria është bërë parajsë e pastrimit të parave të krimeve të kryera në vendet e Bashkimit Europian. Por shqiptarët kanë zgjedhur Europën prej kohësh, prandaj kanë vendosur ta largojnë Edi Ramën" shkroi Bardhi në rrjete sociale.
Komente








