Parlamenti Europian ka miratuar këtë të mërkurë raportin vjetor për Shqipërinë, me 483 vota pro.
Gjatë votimit u miratuan 5 amendamente ndërsa u rrëzuan 11 amendamentet mbi raportin.
Ndër 16 amendamentet që ishin prezantuar nga grupet e deputetëve u rrëzua edhe ai numër 4, i propozuar nga eurodeputetët Ilaria Salis, Danilo Della Valle, Emma Fourreau, Rima Hassan, Hanna Gedin, Jonas Sjöstedt, Sebastian Everding, në emër të Grupit të Majtë.
Ky amendament fokusohej tek mbrojtja e mjedisit në Shqipëri dhe në të përmendej edhe projekti për Zvërnecin që nxiti nisjen e protestave në Tiranë. Ai shprehej kundër ligjit për investimet strategjike dhe ndikimit në zonat e mbrojtura dhe bënte thirrje për shfuqizimin e ndryshimeve të 2024-ës në Ligjin për Zonat e Mbrojtura.
“Shpreh keqardhje të thellë për faktin se Ligji shqiptar i vitit 2015 për Investimet Strategjike është zgjatur, duke pasur parasysh dispozitat e tij që mundësojnë procedura të përshpejtuara të dhënies së lejeve dhe reduktojnë shqyrtimin mjedisor, çka rrezikon të ndikojë negativisht në zonat e mbrojtura dhe zona të tjera mjedisore të ndjeshme; bën thirrje për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetenca kyçe të qeverisjes dhe vendimmarrjes te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kështu mbikëqyrjen mjedisore ; shpreh, për rrjedhojë, shqetësim lidhur me marrëveshjen e qeverisë me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner për zhvillimin e një projekti resorti luksoz në Sazan dhe në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës; bën thirrje për mbështetje të hetimit kundër korrupsionit që aktualisht po zhvillohet nga SPAK në këtë kontekst; kërkon që e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore të garantohet kundër shtypjes nga kompanitë private të sigurisë, siç ndodhi gjatë përplasjeve të ndodhura në fund të majit 2026”,- thuhej në amendamentin numër 4.
Raporti për Shqipërinë për vitin 2025, është hartuar nga raportuesi Andreas Schieder. Në votimet e një dite më parë mori 58 vota pro. Në fjalën e tij Schieder tha se ambicia për mbylljen e negociatave brenda 2027-ës është më se realiste.. Në seancë, Schieder dhe Komisionerja për Zgjerim Marta Kos vlerësuan progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe perspektivën për avancimin e negociatave të anëtarësimit.
Miratimin e raportit vjetor e përshëndeti kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke e cilësuar vendimin si një vlerësim të madh për progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimi Europian.
“Ky vendim i përfaqësuesve të drejtpërdrejtë të qytetarëve europianë është një vlerësim i madh i progresit solid të Shqipërisë sonë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian”, shprehet Balla.
Ai falënderoi të gjithë eurodeputetët që votuan në mbështetje të rezolutës, ndërsa një falënderim të veçantë ia kushtoi raporterit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve, si dhe Andrey Kovatchev për kontributin e tyre në mbështetje të perspektivës europiane të vendit.
Balla e konsideroi këtë votim si një sinjal të fortë mbështetjeje për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe objektivin e anëtarësimit në BE deri në vitin 2030.
Lajmi në përditësim
Komente




