Taksa e sheshtë nuk “sheshoi”
pabarazinë sociale

Taksa e sheshtë nuk “sheshoi”<br />pabarazinë sociale
TIRANE - Sa ndikoi, nga ana tjetër, aplikimi i taksimit të njëllojtë për të gjitha shtresat e popullsisë, në uljen e pabarazisë sociale? Në këtë drejtim, nuk janë të rralla rastet, kur kryeministri Sali Berisha është mburrur se ka ndryshuar një situatë tejet çnjerëzore, ku diferenca midis pagës më të lartë e asaj më të ulët në vend ishte 10-20 herë, ndërkohë që reformat e qeverisë së tij e ulën këtë hendek në pesë herë.

Po çfarë thonë shifrat në këtë aspekt?
Thellësia e pabarazisë në vend ishte fshehur deri më sot nga prurjet e remitancave, por edhe nga kreditimi i lehtë dhe relativisht pa shumë kosto. Në ditët e sotme, në kulmin e krizës ekonomike, pabarazia ashpërsohet edhe më shumë, që do të thotë se  shtresa e ulët, madje edhe ajo e mesme, mbeten pas në lidhje me shpërndarjen e të ardhurave në terma relativë, por edhe absolutë.

Debati në vendet e zhvilluara është përqendruar tek taksimi i të ardhurave të të pasurve, ndërsa në një grup më të gjerë vendesh, edhe në rastin e Shqipërisë, ai duhet të fokusohet mbi sigurimin e aksesit dhe mundësive të barabarta ndaj të gjitha shtresave nëse synohet zhvillimi socio-ekonomik i qëndrueshëm i vendit.

Sipas AGENDA-s, matjet e nivelit të jetesës në Shqipëri janë bërë vetëm në 2002, 2005 dhe 2008. Sidoqoftë, tendenca e tri matjeve, që i përkasin dekadës së shkuar, tregon për një thellim drastik të pabarazisë sipas matjes së indeksit GINI. Në 2002 ky indeks për Shqipërinë shënonte vlerën 0,282, në 2005-ën u rrit në 0,33 dhe në 2008-tën shënoi vlerën 0,345.

Gjithashtu, bazuar në të dhënat e po këtyre viteve, 20%-shi i shqiptarëve, i renditur sipas të ardhurave më të larta në 2008-tën, përfitonte 43 për qind të totalit të të ardhurave, ndërsa në 2002-shin këta përfitonin 37.4 për qind të totalit.

Në kontrast, 20%- shi i shqiptarëve, i renditur sipas të ardhurave më të ulëta në 2008-tën, përfitonte 8,1 për qind të totalit të të ardhurave, ndërsa në 2002-shin këta përfitonin 9,1 për qind. Akoma më e thelluar duket pabarazia kur shihet se si ka pasur rritje në përqindje të zotërimit të të ardhurave nga 10%-i më i lartë i shoqërisë.

Kjo do të thotë që ata individë, në rastin më të mirë, apo grupe të lidhura individësh, në rastin më të keq, që kanë pasur më shumë të ardhura deri më tani, kanë pasur edhe mundësinë për një rritje akoma më të madhe në të ardhura, duke thelluar frikshëm më shumë pabarazinë në shpërndarje të të ardhurave.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 10.03.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Ekskluzive/ Report Tv sjell pamjet me dron nga protesta e PD, ja pjesëmarrja në rrugën e Elbasanit

Ekskluzive/ Report Tv sjell pamjet me dron nga protesta e PD, ja pjesëmarrja në rrugën e Elbasanit